Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, i ka kërkuar Kinës të luajë një rol ndërmjetësues me Korenë e Veriut mes tensioneve në rritje në Gadishullin Korean, raportuan mediat lokale të mërkurën, transmeton Anadolu.
Lee tha se e bëri kërkesën gjatë takimit të tij të hënën me Presidentin e Kinës, Xi Jinping, duke i kërkuar Pekinit të ndihmojë në lehtësimin e dialogut mbi çështjet që lidhen me gadishullin, përfshirë programin bërthamor të Koresë së Veriut, sipas “Yonhap News”.
“Ka diçka që kërkova nga pala kineze,” u tha Lee gazetarëve në Shangai. “Do të doja që (Kina) të luante rolin e një ndërmjetësi në çështjet e Gadishullit Korean, përfshirë çështjen bërthamore të Koresë së Veriut”, njoftoi ai.
Ai tha se të gjitha kanalet e komunikimit midis dy Koreve janë aktualisht të bllokuara, me “zero besim” të mbetur dhe armiqësi që dominon marrëdhëniet midis fqinjëve.
Lee mbërriti në Pekin të dielën për një vizitë shtetërore katër-ditore, udhëtimi i tij i parë në Kinë që nga marrja e detyrës në qershor të vitit të kaluar.
Sipas Lee, udhëheqja kineze iu përgjigj pozitivisht kërkesës së tij. Ai tha se presidenti Xi pranoi përpjekjet e kaluara dhe theksoi nevojën për durim, një pikëpamje që Lee tha se e ndante.
“Për një kohë mjaft të gjatë, ne kemi ndërmarrë në mënyrë efektive veprime ushtarake sulmuese kundër Koresë së Veriut. Koreja e Veriut ka të ngjarë të ketë qenë jashtëzakonisht nervoze. Për të zhvilluar dialog me një homolog, duhet të kuptojmë pozicionin e palës tjetër”, deklaroi ai.
Vizita e Lee përkoi me lëshimet e raketave hipersonike nga Koreja e Veriut të dielën, duke shënuar provën e parë të raketave balistike të Phenianit për këtë vit. Kina është një aleat kyç i Koresë së Veriut.
Që nga marrja e detyrës, Lee është përpjekur të rivendosë lidhjet me Phenianin, por Koreja e Veriut nuk është përgjigjur. Marrëdhëniet ndërkoreane u përkeqësuan ndjeshëm nën administratën e mëparshme të Yoon Suk Yeol, i cili u rrëzua vitin e kaluar pasi vendosi ligjin ushtarak të diskutueshëm.