Pronarët e veturave në Maqedoninë e Veriut përmes sistemit Qyteti i Sigurt krahas procesverbalit elektronik për shkeljet në trafik, do të pranojnë edhe fotografi. Pasi deputetët dje votuan ndryshimet ligjore, zbatimi do të fillojë më 1 shkurt, por si do paguhen gjobat, shkruan Portalb.mk.

Në fillim do të sanksionohen vetëm katër kundërvajtje: parkim i parregullt, tejkalim i shpejtësisë, kalim në të kuqe dhe drejtim i automjetit me regjistrim të skaduar.

Sipas njoftimeve, edhe pse nuk ka afate konkrete se kur, sistemi do të regjistrojë edhe përdorimin e celularit dhe mospërdorimin e rripit të sigurimit.

Në procesverbalin që qytetarët e marrin përmes linkut me sms dhe në adresën e-mail (të cilën pronari e ka dorëzuar gjatë regjistrimit) shkruan se cila kundërvajtje, kur dhe ku është kryer, si dhe gjoba që duhet paguar.

Gjoba do mund të paguhet në mënyrë elektronike, në postë dhe në bankë.

Nëse pronari i automjetit e paguan gjobën brenda tetë ditëve, do ta paguajë vetëm gjysmën e saj.

Nëse ka kaluar afati prej tetë ditësh për ta paguar gjysmën e gjobës, qytetarët mund ta paguajë vlerën e plotë të gjobës së shqiptuar më së voni brenda tetë ditëve pas skadimit të afatit për pagesën e gjysmës, para procedurës së përmbarimit.

Nëse gjoba paguhet brenda këtyre afateve, atëherë nuk paguhen shpenzime shtesë.

Megjithatë, në rastin kur autori nuk do të pajtohet me kundërvajtjen, edhe procesverbali për kundërvajtje rrugore edhe urdhërpagesa për kundërvajtje do të dorëzohen në gjykatën themelore dhe atëherë procesverbali paraqet kërkesë për inicimin e procedurës kundërvajtëse.

Ndërkaq nëse bëhet fjalë për veprën penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit“, atëherë rastin do ta marrë përsipër prokuroria publike.

Shkeljet që do të kryhen me automjete me targa të huaja, MPB-ja ka sqaruar se shoferët nuk do të ndalohen gjatë daljes nga shteti, por nuk do mund të hyjnë përsëri në kufi pa mos e paguar gjobën.

Në ndërkohë në vend filluan të paraqiten edhe mesazhe dhe emaile të rreme kinse vijnë nga Qyteti i Sigurt. SMS-të e vërteta qytetarët mund t’i dallojnë nga fakti se dërguesi është gjithmonë “MVR-SC”, linku për procesverbalin ka formatin https://safecountry.mvr.gov.mk…, si dhe në tekst gjithmonë është e shënuar targa e automjetit.

Deputetët e Maqedonisë së Veriut më 23 janar votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, me të cilin mundësohet që sistemi Qyteti i Sigurt të hyjë në fuqi nga 1 shkurti.

Gjithsej votuan 100 deputetë, 81 “për” dhe 19 “kundër“. Por votuan deputetët e VMRO–DPMNE, VLEN, ZNAM, Levica dhe deputeti i pavarur Ilir Demiri si dhe Bejxhan Iliaz. Deputetët e BDI-së dhe LSDM-së ishin kundër.

Sipas pushtetit ky sistem do të rrisë sigurinë në trafik, ndërsa sipas opozitës ka kritika të ndryshme për mangëi të sistemit.

Ndryshe, kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026. Synimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.

Krahas tre qyteteve, pajisjet për “Qytetin e Sigurt“ janë vendosur dhe në fazën fillestare duhet të fillojnë të implementohen edhe në korridoret 8 dhe 10.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com