Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për marrjen e ftesës nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, transmeton Anadolu.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama shkruan se festa është një gjest tejet domethënës i presidentit Trump ndaj Kosovës, që sipas tij forcon më tej marrëdhënien e “Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë”.
“Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga presidenti i SHBA-së, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht”, ka shkruar Rama.
Presidentja Osmani konfirmoi sot se është ftuar nga presidenti Trump, që ta përfaqësojë Kosovën në Bordin e Paqes për Gazën.
Kryeministri Rama ka bërë të ditur më parë se Trump ka dërguar ftesë edhe për përfaqësimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi disa ditë më parë formimin e Bordit të Paqes për Rripin e Gazës.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu anëtarët e komitetit të ri “teknokratik” që do të mbikëqyrë tranzicionin e pushtetit në Rripin e Gazës, si pjesë e planit me 20 pika të Trumpit për t’i dhënë fund luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza.