Real Madridi në finalen e Superkupës, Alonso: Kjo është rruga drejt titullit – Mbappé mund të luajë ndaj Barcelonës
Real Madrid ka siguruar biletën për finalen e Superkupës së Spanjës, pasi eliminoi Atletico Madridin në gjysmëfinalen e zhvilluar të enjten. “Los Blancos” janë vetëm një hap larg fitimit të trofeut të parë pas më shumë se një viti.
Pas ndeshjes, trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, pranoi se përballja ishte shumë e vështirë, duke theksuar rëndësinë e golit të hershëm të Federico Valverdes.
“Ishte një ndeshje shumë e luftuar. Goli i hershëm i Fede na dha avantazh dhe të detyron të ndryshosh diçka. Në pjesën e parë nuk vuajtëm shumë. Kishte momente për gjithçka, sepse ishte gjysmëfinale, por ky ekip di si të konkurrojë. Ishte një ndeshje shumë intensive. Me rezultatin 1-2 duhej të përshtateshim, u stabilizuam dhe vuajtëm. Kjo është rruga drejt titullit të së dielës dhe ne jemi në finale”, u shpreh Alonso për Diario AS.
Trajneri madrilen komentoi gjithashtu deklaratat e trajnerit të Atletico Madridit, Diego Simeone, në drejtim të Vinicius Junior, duke i cilësuar të papranueshme.
“Nuk më pëlqeu ai moment. Cholo i ka thënë diçka dhe këto gjëra shkojnë përtej frymës që duhet të kesh ndaj lojtarëve. Nuk më pëlqen që kolegët të trajtohen kështu. Jo gjithçka lejohet. Kam folur me Viniciusin dhe mbetet mes nesh. Duhet të ketë respekt për kundërshtarin, gjithçka ka një kufi”, theksoi Alonso.
Sa i përket Kylian Mbappé, i cili mungoi në gjysmëfinale për shkak të një dëmtimi në gju, Alonso la të hapur mundësinë e aktivizimit të tij në finalen ndaj Barcelonës.
“Ai do të udhëtojë nesër dhe do të shohim nëse është gati për të luajtur. Është shumë më mirë, është stërvitur dhe ndjesitë janë pozitive. Ka shanse për të luajtur, njësoj si të gjithë të tjerët”, përfundoi trajneri i Real Madridit.