Në kanalin e Ibër-Lepencit në komunën e Zubin Potokut, përkatësisht në Varagë ka rrëshqitur dheu si pasojë e reshjeve të shiut, raporton KosovaPress. Kjo rrëshqitje ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ujit dhe qytetarët kanë mbetur pa furnizim të rregullt me ujë të pijshëm.

Ekipi i KosovaPress ka qëndruar në vendin e ngjarjes, ku sipas punëtorëve në terren, aktualisht po zhvillohen punimet për largimin e dheut nga zona e rrëshqitjes, me qëllim të rikthimit të furnizimit me ujë për qytetarët.

Ndërmarrja “Ibër-Lepenc” ka bërë të ditur se rrëshqitja e dheut përgjatë kanalit ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ujit, duke e bërë atë të papërshtatshëm për trajtim në impiantet e KRU “Mitrovica”.


Pikërisht në këtë vend, më 29 nëntor 2024 kishte ndodhur shpërthimi i fuqishëm, i cili nga institucionet e Kosovës u vlerësua si akt terrorist dhe i orkestruar nga Serbia.

Ndërkaq, sipas kësaj ndërmarrjeje, operimi i impianteve për trajtimin e ujit varet nga gjendja teknike e kanalit dhe parametrat e ujit të papërpunuar, të cilët aktualisht nuk i plotësojnë kushtet e nevojshme teknike.

Ndërkohë, Kompania Rajonale e Ujësjellësit KRU “Mitrovica” ka njoftuar se furnizimi me ujë është ndërprerë për shkak të rritjes së nivelit të turbullirës në ujin e papërpunuar që vjen nga kanali i Ibër-Lepencit.

Gjatë ditës, KRU “Mitrovica” ka njoftuar qytetarët se po realizon shpërndarje të ujit me autobot në disa lokacione, përfshirë rrugën “Ali Zeneli”, sheshin “Adem Jashari” dhe rrugën “Mehë Uka”.

“Nga ora 15:00, në zonën e Tunelit të Parë do të realizohet shpërndarja e ujit përmes autobotit, i cili do të jetë i pozicionuar pranë Shkollës së Mesme të Lartë ‘Elena Gjika’”, thuhet në njoftimin e KRU “Mitrovica”./kp

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com