Për shkak të përkeqësimit serioz të situatës së sigurisë në Iran, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut u ka bërë thirrje qytetarëve të saj që ndodhen në territorin iranian të largohen sa më shpejt të jetë e mundur dhe në mënyrë të sigurt informon Tetovasot.
Njëkohësisht, MPJ apelon që të shtyhen të gjitha udhëtimet jo thelbësore drejt Iranit, deri në stabilizimin e gjendjes së sigurisë në këtë vend.
“Ministria e Punëve të Jashtme ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e saj për ndihmë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes linjës telefonike SOS 24-orëshe +389 75 268 736, adresës elektronike globalsos@mfa.gov.mk
, si dhe përmes linjës telefonike të Misionit Diplomatik dhe Konsullor të RMV-së në Ankara: +90 539 456 97 102”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Sipas Ministrisë, përkeqësimi i situatës së sigurisë në Iran lidhet drejtpërdrejt me tensionet e brendshme dhe ato ndërkombëtare që janë intensifikuar ditëve të fundit. Protestat dhe pakënaqësitë sociale kanë nxitur masa të shtuara sigurie, rritje të pranisë policore dhe kufizime të mundshme të lëvizjes në disa zona, si për qytetarët vendas ashtu edhe për të huajt.
Në të njëjtën kohë, situata është tensionuar edhe më tej nga përplasjet politike në planin ndërkombëtar, veçanërisht mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Administrata amerikane ka diskutuar hapur opsione ushtarake dhe masa shtesë presioni ndaj Teheranit, ndërsa presidenti Donald Trump ka deklaruar se Irani ka kërkuar bisedime pas kërcënimeve ushtarake të SHBA-së.
Kjo klimë e pasigurisë dhe rreziku i përshkallëzimit të konfliktit kanë shtyrë shumë shtete të rishikojnë udhëzimet e udhëtimit dhe të apelojnë për largimin e qytetarëve të tyre nga Irani, përfshirë edhe thirrjen e fundit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.Tetovasot