Aleanca për Shqiptarët shpreh kundërshtimin e saj të qartë ndaj gjobave të parapara në kuadër të projektit “Qyteti i Sigurt”, të cilat janë disproporcionale, jashtë realitetit ekonomik dhe në shpërputhje të plotë me standardin e ulët jetësor të qytetarëve.

Ne nuk jemi kundër rendit, ligjit dhe sigurisë në trafik. Por ligjet nuk mund të shndërrohen në mekanizma ndëshkues financiarë që zhvaten qytetarët, pa u krijuar më parë kushtet minimale infrastrukturore, institucionale dhe sociale.

Qytetarët nuk janë pyetur.
Nuk ka pasur debat publik.
Nuk është marrë mendim nga ekspertët e trafikut, juristët, universitetet apo shoqëria civile.

Një ligj që prek drejtpërdrejt xhepin dhe jetën e përditshme të qytetarëve nuk mund të imponohet me logjikën “vendos dhe ndëshko”.

VMRO-DPMNE, VLEN dhe Levica nxituan rrufeshëm ta shtyjnë këtë ligj, ndërkohë që shteti ka dhjetëra çështje shumë më prioritare – nga drejtësia, korrupsioni, shëndetësia, arsimi e deri te standardi jetësor – të cilat po ecin me shpejtësinë e breshkës.

Aleanca për Shqiptarët kërkon rishikim të menjëhershëm të masave ndëshkuese, proporcionalitet mes gjobave dhe të ardhurave reale të qytetarëve, debat publik të mirëfilltë përfshirje të ekspertëve dhe universiteteve, por edhe siguri reale në trafik, jo terror financiar.

Ligjet duhet të shërbejnë për rend dhe siguri, jo për të mbushur arkën mbi kurrizin e qytetarëve të varfëruar.

Aleanca për Shqiptarët

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com