Analisti Sefer Selimi ka vlerësuar si ngjarje historike mbajtjen e liturgjisë në gjuhën shqipe gjatë ceremonisë së Ujit të Bekuar në Rekën e Epërme, duke theksuar se kjo ndodhi “për herë të parë në thuajse një shekull”.
“Për herë të parë në thuajse një shekull, uji u bekua edhe në gjuhën shqipe. Liturgjia e kënduar nga At Nikoll Kedhi jehoi kreshtave të Rekës së Epërme, si një thirrje për shtigjet e humbura dhe për bijtë e harruar”, ka shkruar Selimi.
Sipas tij, kjo ceremoni nuk ishte vetëm një akt fetar, por edhe një ngjarje me domethënie të thellë kulturore dhe njerëzore. “Ishte një zë që s’kërkonte leje nga koha, por ia kthente kujtesën gurit, ujit dhe malit. Një bekim që rridhte jo vetëm mbi ujë, por mbi kujtesë”, është shprehur ai.
Selimi thekson se bekimi i ujërave të Radikës, në frymën e festës së shenjtë që simbolizon shndërrimin dhe hapjen, u shfaq njëkohësisht si një ngjarje thellësisht njerëzore dhe bashkëkohore.
Kjo, sipas analistit, u bë e mundur falë angazhimit të ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Sh.T. Denion Meidani, dhe peshkopit Antaninski, z. Partenij.
“Ky akt është një shfaqje e qartë dhe konkrete e bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare”, ka theksuar Selimi.
Në fund, ai ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë dhe qytetarët që festojnë këtë ditë të shenjtë: “Gëzuar besimtarëve ortodoksë dhe të gjithë atyre që festojnë!” Gazeta Flaka