Sekuestrohen deviza, ar, cigare, bizhuteri, preparate veterinare, instrumente muzikore dhe raki shtëpie në pikat kufitare
Zyrtarët doganorë dhe ekipet mobile kanë zbuluar disa tentativa për kontrabandë dhe për nxjerrje apo futje të paligjshme të mallrave dhe devizave të padeklaruara në disa pika kufitare të vendit informon Tetovasot.
Në pikën kufitare Tabanoc – autostradë, gjatë kontrollit të dy pasagjerëve që po dilnin nga shteti, u zbuluan 13.900 euro të padeklaruara, 3 monedha ari dhe 1 pllakë ari me peshë rreth 90 gramë. Shoferit iu kthyen 10.000 euro, ndërsa pjesa tjetër e parave dhe ari u sekuestruan përkohësisht.

Në pikën kufitare Qafthanë, te një udhëtar që po hynte në shtet u gjetën 20.000 euro të padeklaruara. Sipas ligjit, 10.000 euro iu kthyen, ndërsa 10.000 euro u mbajtën përkohësisht.
Në Bogorodicë, në dalje nga shteti, te katër udhëtarë u gjetën gjithsej 20.000 euro. Për shkak të mungesës së dokumentacionit përkatës, u sekuestruan përkohësisht 12.000 euro, ndërsa pjesa tjetër iu kthye udhëtarëve transmeton Tetovasot/
Gjatë kontrollit të një autobusi me targa turke në pikën kufitare Deve Bair, u zbuluan 30 steka cigare me pulla akcize turke, 279 copë bizhuteri dhe 30 kilogramë rruaza. Vlera e mallrave të padeklaruara është 73.780 denarë, ndërsa detyrimet e shmangura doganore kapin vlerën 75.038 denarë.

Në pikën kufitare Stenje, në çantën e një udhëtari u gjetën 17 shishe preparate veterinare për injeksione, të cilat u sekuestruan përkohësisht.
Po ashtu, në Tabanoc, te një udhëtar me karnet ATA, u zbuluan instrumente muzikore dhe pajisje për zërim që nuk ishin të deklaruara në dokumentacion.
Në të njëjtën pikë kufitare, pas një kontrolli të detajuar të një automjeti, u zbuluan 60 litra raki shtëpie, të fshehura në pjesë të ndryshme të veturës, përfshirë dyert, tavanin dhe bagazhin.
Nga Dogana njoftojnë se ndaj të gjitha rasteve do të ndërmerren procedurat përkatëse në përputhje me ligjin.

Njoftimi i plote:
SEKUESTROHEN DEVIZA, ARI, CIGARE DHE BIZHUTERI, PREPARATE VETERINARE, INSTRUMENTE MUZIKORE DHE RAKI SHTËPIE
Zyrtarët doganorë dhe ekipet mobile doganore zbuluan disa tentativa për kontrabandë me mallra të ndryshme, si dhe disa tentativa për kontrabandë të shumave të mëdha të devizave të padeklaruara, konkretisht:
13.900 euro, 3 monedha ari dhe 1 pllakë ari me peshë rreth 90 gramë u zbuluan nga një ekip mobil doganor te dy pasagjerë që ishin paraqitur për dalje nga shteti në pikën kufitare Tabanoc – autostradë. Gjatë kontrollit personal, në xhepin e xhaketës së shoferit u gjetën 23.900 euro, ndërsa në portofolin e tij dhe në xhepin e përparmë të pantallonave u gjetën 3 monedha ari, secila me peshë rreth 8 gramë, si dhe një pllakë ari me peshë rreth 90 gramë. Sipas dispozitave ligjore, udhëtarit iu kthyen 10.000 euro, ndërsa 13.900 euro, monedhat e arit dhe pllaka e arit u mbajtën përkohësisht.
Gjatë kontrollit të një automjeti që ishte paraqitur për hyrje në shtet në pikën kufitare Qafthanë, te njëri nga udhëtarët u gjetën 20.000 euro të padeklaruara. Sipas Ligjit për veprimtarinë valutore, palës iu kthyen 10.000 euro, ndërsa pjesa tjetër prej 10.000 eurosh u mbajt përkohësisht.
Në dalje nga shteti në pikën kufitare Bogorodicë, te katër udhëtarë u gjetën gjithsej 20.000 euro. Secili prej tyre mbante nga 5.000 euro, shumë që duhet të deklarohet dhe për të cilën kërkohet vërtetim nga banka ose këmbimorja e autorizuar gjatë nxjerrjes nga shteti. Sipas Ligjit për veprimtarinë valutore, secilit udhëtar iu kthyen nga 2.000 euro, ndërsa pjesa e mbetur prej 3.000 eurosh për secilin, ose gjithsej 12.000 euro, u mbajt përkohësisht.
30 steka cigare me pulla akcize turke, 279 copë bizhuteri dhe 30 kilogramë rruaza u zbuluan nga zyrtarët doganorë gjatë kontrollit të një autobusi me targa turke, të paraqitur për hyrje në shtet në pikën kufitare Deve Bair. Cigaret u gjetën në një hapësirë të fshehtë të fabrikuar në zonën e pushimit të shoferëve, ndërsa bizhuteritë u gjetën në një qese të vendosur në bagazhin e autobusit. Vlera e produkteve të padeklaruara është 73.780 denarë, ndërsa detyrimet e shmangura doganore arrijnë në 75.038 denarë.
17 shishe me lëng për injeksione për kafshë prej 100 ml dhe 250 ml u gjetën në çantën e një udhëtari – shtetas i huaj me vendbanim të deklaruar në Prilep, i cili ishte paraqitur për hyrje në shtet në pikën kufitare Stenje. Malli u sekuestrua përkohësisht.
Në hyrje në pikën kufitare Tabanoc u paraqit një udhëtar me karnet ATA, por gjatë kontrollit nga zyrtarët doganorë, në hapësirën e bagazhit, mes instrumenteve muzikore të deklaruara, u gjetën edhe 4 kuti të reja për zërim, një kitarë elektrike e përdorur dhe një modul i përdorur për bateri elektrike, të cilat nuk ishin të përfshira në karnetin ATA dhe nuk ishin deklaruar nga udhëtari.
Në pikën kufitare Tabanoc, sipas udhëzimeve nga Departamenti i Qendrës Doganore të Kujdestarisë, u krye një kontroll i detajuar i një automjeti, ku u zbuluan 60 litra raki shtëpie. Shoferi kishte deklaruar vetëm disa bidonë të vegjël me djathë dhe çanta udhëtimi, ndërsa rakia, e vendosur në shishe plastike dhe bidonë, ishte fshehur në dyert e pasme nën tapiceri, në tavan, nën kapakun e veturës dhe në çantat e udhëtimit.