Departamenti Amerikan i Shtetit ka pezulluar përpunimin e vizave imigruese për 75 shtete, në një përpjekje për t’u përballur me aplikantët që konsiderohen se ka gjasa të bëhen barrë për fondet publike, raporton Fox News.

Një memorandum i Departamentit të Shtetit, i siguruar për herë të parë nga Fox News Digital, u udhëzon zyrtarëve konsullorë që t’i refuzojnë aplikimet për viza sipas ligjit ekzistues, derisa departamenti të rishikojë procedurat e verifikimit dhe të skriningut. Pezullimi do të nisë më 21 janar dhe do të zgjasë për një periudhë të pacaktuar, derisa të përfundojë rishikimi i procesit të përpunimit të vizave imigruese.
Somalia ka tërhequr vëmendje të shtuar nga autoritetet federale pas një skandali mashtrimi të zbuluar në Minesota, ku prokurorët zbuluan keqpërdorim masiv të programeve të përfitimeve të financuara nga taksapaguesit. Shumë nga personat e përfshirë ishin shtetas somalezë ose amerikanë me origjinë somaleze.

Në nëntor të vitit 2025, një telegram i Departamentit të Shtetit i dërguar në mbarë botën u kërkoi zyrtarëve konsullorë të zbatojnë rregulla të reja verifikimi sipas të ashtuquajturës dispozitë për “barrë publike” në ligjin e emigracionit. Udhëzimi parashikon refuzimin e vizave për aplikantët që vlerësohen se ka gjasa të varen nga përfitimet publike, duke marrë parasysh një sërë faktorësh, përfshirë shëndetin, moshën, njohjen e gjuhës angleze, gjendjen financiare, madje edhe nevojën e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë.

“Departamenti i Shtetit do të përdorë autorizimin e tij shumëvjeçar për t’i shpallur të papranueshëm emigrantët potencialë që mund të bëhen barrë publike për Shtetet e Bashkuara dhe të përfitojnë nga bujaria e popullit amerikan”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.

“Imigracioni nga këto 75 shtete do të pezullohet derisa Departamenti i Shtetit të rishikojë procedurat e përpunimit, me qëllim parandalimin e hyrjes së shtetasve të huaj që do të përfitonin ndihma sociale dhe benefite publike.”
Përjashtimet nga kjo masë e re do të jenë “shumë të kufizuara” dhe do të lejohen vetëm pasi aplikanti të plotësojë kriteret që lidhen me vlerësimin e barrës publike.
Ligji për Imigracionin dhe Kombësinë prej kohësh u lejon zyrtarëve konsullorë t’i shpallin kandidatët të papranueshëm mbi bazën e barrës publike, por ish-presidenti Donald Trump në vitin 2019 e zgjeroi këtë përkufizim për të përfshirë një gamë më të gjerë përfitimesh publike. Ky zgjerim u kundërshtua në gjykatë dhe disa pjesë u bllokuan, përpara se të shfuqizoheshin nga administrata e presidentit Joe Biden.
Lista e plotë e shteteve të prekura:
Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbajxhan, Bahamas, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Belize, Butan, Bosnje, Brazil, Burma, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbër, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kubë, Republika Demokratike e Kongos, Dominikë, Egjipt, Eritre, Etiopi, Fixhi, Gambi, Gjeorgji, Ganë, Grenadë, Guatemalë, Guine, Haiti, Iran, Irak, Xhamajkë, Jordani, Kazakistan, Kosovë, Kuvajt, Kirgistan, Laos, Liban, Liberi, Libi, Maqedoni e Veriut, Moldavi, Mongoli, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeri, Pakistan, Republika e Kongos, Rusi, Ruandë, Shën Kits dhe Nevis, Shën Luçia, Shën Vincent dhe Grenadinat, Senegal, Sierra Leone, Somali, Sudani i Jugut, Sudan, Siri, Tanzani, Tajlandë, Togo, Tunizi, Ugandë, Uruguai, Uzbekistan dhe Jemen.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com