Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë shpreh shqetësim serioz për aktgjykimin e shpallur më 12.01.2026, në dëm të Liridona Vejselit. Sipas arsyetimit të gjykatës, Vejseli është akuzuar për “Keqpërdorim të të dhënave personale” sipas nenit 149 paragrafi 1 të Kodit Penal, për shkak se në Instagram dhe TikTok ka publikuar të dhëna personale – emrin dhe mbiemrin e një gjyqtari.

Në aktgjykim, gjykata thekson se:
“Vejseli është fajtore sepse më 28.10.2024, në kundërshtim me kushtet e përcaktuara me ligj dhe pa pëlqimin e gjyqtarit të dëmtuar, ka përdorur të dhënat e tij personale në atë mënyrë që në rrjetet sociale Instagram dhe TikTok ka publikuar video në të cilat ka keqpërdorur të dhënat personale të gjyqtarit – emrin dhe mbiemrin e tij, me ç’rast i ka dëmtuar nderin dhe reputacionin, si dhe veprimtarinë e tij profesionale që e ka ushtruar si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Tetovë për më shumë se 37 vjet.”

SHGM vlerëson se ky aktgjykim i shkallës së parë dërgon një sinjal shumë të keq për lirinë e shprehjes në vend. Ndjekja penale e gazetarëve për publikimin e emrit dhe mbiemrit të personave publikë, veçanërisht të gjyqtarëve, rrit presionin mbi gazetarinë dhe cenon të drejtën e publikut për t’u informuar.

SHGM i ka ofruar ndihmë juridike Vejselit dhe do ta ndjekë me vëmendje procesin në fazën e ankesës. Ekziston mundësia që aktgjykimi të korrigjohet nga gjykatat më të larta, por ky rast edhe një herë e thekson problemin e procedurave të izoluara gjyqësore që mund të funksionojnë si presion ndaj mediave.

Emri dhe mbiemri i një gjyqtari janë të dhëna publike dhe është absurde që publikimi i emrit dhe mbiemrit të një gjyqtari konkret të trajtohet si shkelje e të drejtës së privatësisë.

Për kujtesë, gjatë vitit 2025 janë regjistruar disa raste që tregojnë se vendime të caktuara gjyqësore mund të ndikojnë drejtpërdrejt në lirinë e mediave. SHGM mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe të drejtës së tyre për informim të lirë dhe të sigurt të publikut.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com