Më 20.01.2026, Njësia për Luftimin e Korrupsionit në Departamentin për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë, pranë Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OJOGOKK), paraqiti kallëzim penal kundër G.R. (53) nga Negotina, me vendbanim në Shkup, për ekzistimin e dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “fitim dhe fshehje e kundërligjshme e pasurisë” sipas nenit 359-a paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 dhe “pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga vepër penale” sipas nenit 273 paragrafi 1 të Kodit Penal.
G.R., në cilësinë e personit zyrtar – gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkup, në periudhën nga 10.02.2020 e deri më sot, në kundërshtim me detyrimin ligjor për deklarimin e gjendjes pasurore ose ndryshimeve të saj, ka dhënë të dhëna të rreme për pasurinë e tij dhe të familjes së tij, pasuri e cila në përmasa të mëdha i tejkalon të ardhurat e tij ligjore.
Me këtë rast, më 18.01.2026, në bazë të një urdhri të lëshuar nga një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore Penale Shkup, dhe në koordinim me prokurorin publik kompetent, është kryer kontroll në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë, ku në katin e parë, konkretisht në kuzhinë, janë vërejtur rrethana të dyshimta që tregonin për ndërhyrje ndërtimore (korrigjim i pllakave të murit). Pas heqjes së një pllake qeramike të murit, është zbuluar një hapësirë (vrimë) në të cilën ndodheshin rula alumini në formë cilindri, të paketuara në 13 paketime të veçanta, brenda të cilave janë gjetur gjithsej 610 kartëmonedha nga 500 euro dhe 225 kartëmonedha nga 200 euro, ose gjithsej 350.000 euro.