Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) ka njoftuar për përkeqësim të situatës hidrometeorologjike pas reshjeve të dendura të shiut, duke bërë të ditur se vërshimet kanë prekur disa rajone të vendit, përfshirë Gostivarin, Kërçovën, Ohërin, Manastirin dhe Prespën, përcjell INA.

Sipas QMK-së, si pasojë e reshjeve intensive, rruga lokale ndërmjet fshatrave Forinë dhe Tumçevisht në Komunën e Gostivarit është vështirë e kalueshme. Për situatën janë njoftuar Njësia e Vetëqeverisjes Lokale Gostivar dhe Stacioni Policor në Çegran.

Po ashtu, është evidentuar dalja nga shtrati e lumit Lakaviçka në fshatin Malo Turçan, si dhe e lumit Sushçka në fshatin Banjicë e Epërme, po në Komunën e Gostivarit. Institucionet dhe shërbimet kompetente janë vënë në dijeni dhe po ndjekin nga afër gjendjen në terren.


Rajoni i Ohrit dhe Kërçovës

Në Komunën e Ohrit janë regjistruar përmbytje të bodrumeve, garazheve dhe oborreve në disa lokacione të qytetit. Vetëqeverisja lokale dhe Shtabi i Krizës i Komunës së Ohrit janë njoftuar dhe po veprojnë sipas paraqitjeve të qytetarëve. Lumi Daljan ka dalë nga shtrati në disa segmente, duke përmbytur një numër të konsiderueshëm shtëpish, ndërsa shërbimet për intervenim të shpejtë janë në terren.

Në Komunën e Kërçovës, në rrugën “Prilepska”, janë përmbytur disa objekte banimi. Rreth 100 persona janë evakuuar dhe janë strehuar në sallën sportive “Hristo Uzunov”. Në terren kanë intervenuar ekipet e Kryqit të Kuq, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, QMK Kërçovë, Njësia Territoriale e Zjarrfikësve Kërçovë, NP “Komunalec” dhe Komuna e Kërçovës.

Personave të evakuuar u janë siguruar ushqim, ujë, shtretër, dyshekë dhe batanije.

Gjithashtu, është regjistruar dalja nga shtrati e lumit Zajashka në zonën mbi stadiumin “Vllazërimi” dhe pranë shkollës së re “Sande Shterjoski”, si dhe e lumit Treska, i cili ka përmbytur toka bujqësore në rrethinat e fshatrave Bigor Dolencë, Vranesht dhe zonat përreth.

Rajoni i Manastirit dhe Prespës

Në rajonin e Manastirit dhe Prespës, reshjet e dendura kanë shkaktuar rritje të nivelit të ujit në lumenj dhe dalje nga shtrati të disa rrjedhave ujore, duke përmbytur një numër të madh shtëpish dhe oborresh. Për orën 09:00 është caktuar një takim i Shtabit të Krizës të Komunës së Manastirit, me qëllim përcaktimin e prioriteteve dhe koordinimin e aktiviteteve për menaxhimin e situatës në terren.

QMK bën të ditur se situata po monitorohet vazhdimisht dhe se ekipet kompetente janë të angazhuara për intervenim dhe ndihmë ndaj qytetarëve të prekur.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com