Policia e Kumanovës ka sekuestruar një makinë në fshatin Sllupçan, Komuna e Likovës, si pjesë e hetimeve mbi përdhunimin dhe shantazhin ndaj një 16-vjeçareje. Dy prej të dyshuarve ndodhen tashmë në paraburgim. Vetura e tipit Golf 5, ngjyrë e kuqe me targa të Kumanovës, ndodhet në Stacionin Policor, sipas Ministrisë së Brendshme informon Tetovasot.
“Makina është sekuestruar për kryerjen e masave krim-teknike dhe për mbledhjen e provave që lidhen me veprat penale të kryera në Sllupçan”, njoftojnë nga Ministria e Brendshme.
Jozyrtarisht, e mitura ka deklaruar para policisë se akti i përdhunimit ka ndodhur brenda makinës. Telefona celular të dy të dyshuarve dhe i së miturës janë dërguar për ekspertiza shtesë, nga të cilat pritet të dalin prova mbi përfshirjen e mundshme të personave të tjerë.
Sipas deklaratës së saj, e mitura është shantazhuar për më shumë se gjashtë muaj dhe është detyruar t’i japë rreth 20,000 euro, pjesërisht nga kursimet dhe pjesërisht nga të afërmit e saj. Hetimet e mëtejshme do të tregojnë nëse të ardhurat kanë përfunduar vetëm tek personi i dyshuar dhe gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me organet e ligjit.
Policia ka intervistuar gjithashtu disa persona për kontaktet e tyre me të miturën dhe për borxhet e mundshme, të cilët nuk kanë rezultuar të përfshirë në shantazh apo abuzim.
Hetimi vazhdon dhe autoritetet po mbledhin prova për të sqaruar të gjitha dyshimet dhe për të identifikuar çdo person tjetër të përfshirë.TS