Deputeti Snopçe ka adresuar sot një sërë kritikash ndaj kryeministrit Mickoski, duke e vënë theksin te mospërputhjet mes deklaratave publike dhe veprimeve konkrete të qeverisë.

Ai theksoi se gjatë një seance i parashtroi pyetje kryeministrit nëse ai dhe ministrat e tij i zbatojnë rregulloren dhe ligjet në fuqi. Sipas Snopçes, përgjigjja e Mickoskit ishte se ligjet duhet të zbatohen, por në praktikë, siç tha ai, shpesh ndodh e kundërta.

Snopçe solli si shembull moszbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke theksuar se kjo çështje mbetet problematike dhe kërkon përgjegjësi institucionale.

Ai kritikoi gjithashtu deklaratat kontradiktore të kryeministrit në opinionin publik, duke përmendur rastin e brohoritjeve të tifozëve në Kumanovë, për të cilat Mickoski kishte deklaruar se nuk i kishte dëgjuar, si dhe deklaratën e ministres serbe, për të cilën po ashtu tha se nuk e kishte dëgjuar.

Në vijim, Snopçe ngriti pikëpyetje edhe për deklaratat e kryeministrit lidhur me gjendjen e tij financiare. Sipas tij, Mickoski, sa ishte lider i opozitës, deklaronte se jetonte me rrogën e profesorit, ndërsa tani, si kryeministër, thotë se ka bërë biznes në sektorin e energjetikës dhe ka pasur të ardhura të konsiderueshme. “Atëherë, ku qëndron e vërteta?”, ka pyetur Snopçe.

Në fund, ai i bëri thirrje kryeministrit të tregojë kujdes të veçantë edhe kur deklaron se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, duke theksuar se nuk duhet të nxitojë me deklarata të tilla, pasi realiteti politik mund të ndryshojë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com