Takimi i liderëve/ Gashi: Më gëzon fakti që Kuvendi po kthehet në epiqendër të zgjidhjes së problemeve
Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, ka komentuar ngjarjet e fundit politike në vend në një intervistë për Televizionin Alsat.
Gashi ka komentuar takimin e sotëm të liderëve të partive politike në vend. Ai ka nënvizuar rëndësinë e kthimit të institucionit të Kuvendit në epiqendër.
“Do kisha dashur të nënvizoj dy elemente. I pari është nga informacionet që kam për takimin që ka rrjedhur brenda liderëve, ka qenë një takim shumë konstruktiv, mendoj se u tha edhe nga vet pjesëmarrësit. Dhe më gëzon shumë fakti që si demokraci po piqemi. Dialogu është i hapur, kemi mundësi të ulemi, të diskutojmë. Duhet ta kuptojmë se kjo është demokracia parlamentare. Duhet shpesh të ulemi në tavolinë edhe me ata që nuk mendojnë si ne. Dhe mendoj se kjo është një vlerë e shtuar. Dhe ky fakt më gëzon. Dhe elementi i dytë më gëzon fakti që Kuvendi po kthehet në një qendër ku do të duhet të zgjidhen çështjet. Gjatë kohë Kuvendi ka qenë vetëm çështje kolaterale-anësore ku të gjitha marrëveshjet janë bërë diku tjetër dhe janë implementuar në Kuvend. Më gëzoi shumë fakti që liderët janë marrë vesh që bisedimet konkrete për zgjidhjen e problemeve do të vazhdojnë nesër në Kuvend në nivel të koordinatorëve për ligjet konkrete, për zgjidhjet konkrete ”, deklaroi Gashi.