Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, sot në ambientet e MPB-së realizoi një takim bilateral me ministren e Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Albana Koçiu, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në vend.

Gjatë takimit u diskutuan një sërë çështjesh me interes të përbashkët, me theks të veçantë në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive, zbatimin e sistemit “One Stop” edhe me Shqipërinë para fillimit të sezonit turistik, si dhe mundësinë që pika kufitare “Xhepishte–Trebishtë” të funksionojë 24 orë në ditë gjatë gjithë vitit.

Po ashtu, u shqyrtuan aktivitetet lidhur me draft-marrëveshjet ndërmjet dy qeverive për vendosjen e kontrolleve të përbashkëta në pikat kufitare dhe për themelimin dhe funksionimin e një Qendre për bashkëpunim policor dhe doganor.

Ministri Toshkovski theksoi se, ashtu siç është zbatuar sistemi “One Stop” me Kosovën dhe Serbinë, ekziston mundësia që ky sistem të zbatohet edhe me Shqipërinë, me qëllim përshpejtimin e qarkullimit të qytetarëve dhe uljen e pritjeve në kufi, veçanërisht gjatë sezonit veror. Ai shtoi se po shqyrtohet edhe zgjerimi i orarit të funksionimit të pikës kufitare Xhepishte–Trebishtë, në mënyrë që ajo të jetë funksionale 24/7 gjatë gjithë vitit.

Në kuadër të vizitës u mbajt edhe një takim i nivelit të lartë ndërmjet ministrave të Brendshëm dhe drejtorëve të doganave të dy vendeve, i dedikuar themelimit të Qendrës së Përbashkët të Kontaktit për bashkëpunim policor dhe doganor. Kjo qendër pritet të shërbejë si mekanizëm shtesë për shkëmbim më të shpejtë dhe më efikas të informacioneve, koordinim dhe veprim të përbashkët në luftën kundër krimit ndërkufitar, migrimit ilegal, trafikut të drogës dhe sfidave të tjera të sigurisë.

Toshkovski theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes për themelimin e kësaj qendre do të kontribuojë në forcimin e kontrollit kufitar dhe në luftën më efikase kundër migrimit ilegal, krimit të organizuar dhe kërcënimeve të tjera të sigurisë. Ai rikujtoi se Maqedonia e Veriut tashmë ka katër qendra të përbashkëta kontakti me vendet fqinje, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në shkëmbimin e informatave dhe koordinimin operacional.

Në fund të takimit, u konfirmua përkushtimi i përbashkët i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve të mira fqinjësore, forcimin e stabilitetit rajonal dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit./TS/

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com