Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, përmes statusit së tij në Fejsbuk, është prononcuar rreth votimit të sotëm të Ligjit për Kundërvajtje, me të cilin mundësohet zbatimi i plotë i sistemit “Qytet i sigurt” nga 1 shkurti, duke theksuar se është një vendim që mbron drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
“Votimi i sotëm i Ligjit për Kundërvajtje është një konfirmim i qartë se kur ka guxim politik dhe përgjegjësi, mund të merren vendime që mbrojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Mirënjohje e sinqertë për të gjithë deputetët që mbështetën ligjin dhe treguan se siguria në trafik, mbrojtja e jetës njerëzore dhe interesi publik janë më të rëndësishme se politika ditore. Me këtë vendim, Parlamenti dërgoi një mesazh të fortë se shteti më në fund po ndërmerr hapa sistematikë kundër kaosit në trafik dhe humbjes së pakuptimtë të jetëve njerëzore”, tha Toshkovski.
Ministri shprehu gjithashtu mirënjohje për qytetarët, duke theksuar se pikërisht sjellja e tyre e përgjegjshme gjatë periudhës së testimit është çelësi i suksesit të sistemit.
“Falënderime të veçanta për qytetarët. Gjatë periudhës së testimit, ata treguan se dinë, munden dhe duan të jenë pjesë e zgjidhjes. Duke ndryshuar sjelljen e tyre në trafik, duke respektuar rregullat dhe duke rritur ndërgjegjësimin, qytetarët kontribuan drejtpërdrejt në një siguri më të madhe dhe në uljen e aksidenteve rrugore, lëndimeve dhe viktimave. “Qyteti i sigurt” nuk është një sistem për ndëshkim, por një sistem për shpëtimin e jetëve, ndërsa pikërisht qytetarët janë ata që e kuptuan të parët këtë”, theksoi Toshkovski.
Ai reagoi ashpër ndaj votimit të sotëm nga LSDM dhe BDI, duke vlerësuar se ata kanë treguar edhe një herë se i vënë llogaritjet partiake mbi sigurinë e qytetarëve.
Kuvendi sot me 81 vota “për” dhe 19 “kundër” dhe pa të përmbajtur e votoi Ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për kundërvajtje, me procedurë të shkurtuar. Me këtë hapet rruga që nga 1 shkurti të fillojë sistemi për regjistrim automatik dhe sanksionim të kundërvajtjeve “Qyteti i sigurt”, të drejtuara drejt parandalimit, sigurisë së rritur në trafik dhe mbrojtjes së jetës së qytetarëve.