Presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë homazh ushtarëve britanikë “shumë të guximshëm” që shërbyen në Afganistan, pas kritikave të ashpra ndaj pretendimit të tij se trupat jo-amerikane kishin qëndruar larg vijës së frontit.
Në Truth Social, ai tha se britanikët “ishin ndër luftëtarët më të mëdhenj”, ndërsa pranoi 457 viktimat dhe shumë të tjera që u “plagosën rëndë”.
“Ushtarët e mëdhenj dhe shumë trima të Mbretërisë së Bashkuar do të jenë gjithmonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Në Afganistan, 457 veta vdiqën, shumë u plagosën rëndë dhe ata ishin ndër luftëtarët më të mëdhenj. Është një lidhje shumë e fortë për t’u thyer ndonjëherë. Ushtria e Mbretërisë së Bashkuar, me një zemër dhe shpirt të jashtëzakonshëm, është e pakrahasueshme (përveç SHBA-së!). Ne ju duam të gjithëve dhe gjithmonë do t’ju duam! Presidenti DONALD J. TRUMP”, shkroi Trump në Truth Social.
Postimi i tij vjen pas komenteve në të cilat ai pretendoi se trupat e NATO-s në Afganistan kishin “qëndruar pak prapa, pak larg vijave të frontit”.
Kryeministri britanik Keir Starmer, dukshëm i zemëruar, i quajti komentet “fyese dhe sinqerisht të tmerrshme” , ndërsa Princi Harry gjithashtu mbrojti trimërinë e trupave britanike.
Princi – i cili shërbeu dy herë në Afganistan – tha se “sakrificat britanike meritojnë të fliten me sinqeritet dhe respekt”.
Ndryshe, Amerika është i vetmi anëtar i NATO-s që ka thirrur dispozitat e sigurisë kolektive të klauzolës së Nenit 5 – që një sulm kundër një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve.
Kjo ndodhi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, të cilat çuan në një pushtim të Afganistanit të udhëhequr nga SHBA.
Mbretëria e Bashkuar pësoi numrin e dytë më të lartë të vdekjeve ushtarake në konfliktin në Afganistan me 457. SHBA-të panë 2,461 vdekje.