Këshilli i Shtetit i Kantonit Valais ka vendosur të ndajë 10 milionë franga zvicerane për fondacionin që po krijohet në ndihmë të viktimave të zjarrit tragjik në lokalin Le Constellation në Crans-Montana dhe familjeve të tyre. Po ashtu, shteti do të mbulojë shpenzimet e varrimit dhe të riatdhesimit për të gjithë të ndjerët.

Presidenti i qeverisë së Valais, Mathias Reynard, deklaroi të hënën se statutet e fondacionit janë miratuar në nivel kantonal dhe se llogaria bankare tashmë është hapur. “Procesi i krijimit të fondacionit është në zhvillim,” tha ai.

Sipas Reynard, përveç 10 milionë frangave të siguruara nga shteti, disa milionë franga të tjera janë premtuar nga donatorë privatë. Ai theksoi se qëllimi i fondacionit nuk është të zgjidhë të gjitha pasojat e tragjedisë, por të garantojë që çdo viktimë të marrë ndihmën e nevojshme.

Shteti i Valais ka vendosur gjithashtu të mbulojë shpenzimet e varrimit për 40 viktimat, pavarësisht nëse janë shtetas zviceranë apo të huaj. Këto masa i shtohen ndihmës emergjente prej 10 mijë frangash, e cila po u shpërndahet të gjitha familjeve të viktimave të shtruar në spital apo të ndjerëve, thuhet në një komunikatë për media.

Ndihma financiare pa pritur vlerësimin e sigurimeve

Kantoni ka vendosur të zbatojë rekomandimet e Konferencës së Drejtorëve Kantonalë të Çështjeve Sociale (CDAS), të cilat parashikojnë ofrimin e shpejtë dhe të koordinuar të ndihmës sipas Ligjit Federal për Ndihmën ndaj Viktimave të Krimit (LAVI), pa procedura të rënda administrative.

“Kemi vendosur të mos presim vlerësimin e mbulimit të kostove nga kompanitë e sigurimeve. Ndihma financiare do të jepet menjëherë dhe vlerësimet do të bëhen më vonë,” sqaroi Reynard.

Statusi i viktimave zgjerohet

Sipas CDAS, si viktima të zjarrit konsiderohen jo vetëm personat e vdekur apo të plagosur, por edhe ata që ndodheshin në lokal në momentin e ngjarjes, personat që hynë për të shpëtuar të tjerë, si dhe ata që ndodheshin në afërsi të menjëhershme të dramës dhe kishin frikë për jetën ose shëndetin e të afërmve të tyre.

Edhe familjarët e këtyre personave kanë të drejtë të përfitojnë nga ndihma e qendrave LAVI. Autoritetet theksojnë se edhe personat që jetojnë jashtë Zvicrës duhet të kenë akses të lehtësuar në këtë ndihmë.

Qëllimi i këtyre masave është të sigurohet trajtim i barabartë për të gjitha viktimat në nivel kombëtar, si dhe koordinim më i mirë mes qendrave LAVI, duke marrë parasysh nevojat gjuhësore dhe vendndodhjen gjeografike të të prekurve.

Kostoja e tragjedisë mund të arrijë një miliard franga

Sipas gazetës kantonale Le Nouvelliste, kostoja totale e zjarrit në lokalin Le Constellation, ku humbën jetën 40 persona dhe u plagosën 116 të tjerë, mund të arrijë deri në një miliard franga zvicerane.

Vlerësimet fillestare të kërkesave civile variojnë nga 600 milionë deri në një miliard franga, duke përfshirë shpenzimet mjekësore, humbjen e të ardhurave dhe dëmin moral./Albinfo

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com