Në tubimin përmbyllës të fushatës elektorale të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për kandidatin e tyre për kryetar të Gostivarit, Valbon Limani, ai zhvilloi një fjalim emocional, duke falënderuar publikisht familjen dhe qytetarët për mbështetjen e tyre të palëkundur.

Limani filloi falënderimet me babain e tij, të cilin e quajti një shembull të ndershmërisë dhe drejtësisë, duke theksuar se mësimet e tij i kanë treguar gjithmonë rrugën e duhur. Falënderime të veçanta u drejtuan edhe për nënën, e cila zgjodhi këtë fushatë për të folur për të dhe për gruan e tij, dhe tre vajzat e tyre, që, edhe pse kanë kaluar shumë kohë larg tij gjatë fushatës, i dhanë forcë dhe mbështetje të jashtëzakonshme, njofton TS.

“Kur u vendos të ketë raund të dytë në Gostivar, pavarësisht se unë kisha fituar me diferencë të madhe kundër kandidatit tjetër, shumë njerëz menduan se nuk ishte e drejtë. Por, si thotë feja jonë, Zoti ka gjithmonë një plan më të mirë,” tha Limani. Ai shtoi se raundi i dytë u shndërrua në një mundësi të jashtëzakonshme për mobilizim të qytetarëve, të cilët dolën masivisht për të votuar numrin 3, duke i dhënë energji dhe entuziazëm fushatës së tij.

Valbon Limani përmendi se falënderimi më i madh i takon Zotit, i cili, sipas tij, e mbështet çdo përpjekje të drejtë dhe e bën të qetë dhe të gëzuar përballë sfidave. “Kur ke Zotin me vete, ke fituar të gjitha betejat,” u shpreh Limani, duke inkurajuar qytetarët të marrin pjesë në votim dhe të mbështesin vizionin e tij për zhvillim dhe përparim të Gostivarit.

Ky tubim përmbyllës shënoi një moment kulmor të fushatës së Valbon Limanit, i cili pritet të marrë mbështetje të gjerë nga komuniteti në zgjedhjet që do të zhvillohen ditën e diel./TS

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com