Kandidati i AKI-së për kryetar të komunës së Gostivarit, Valbon Limani ka premtuar masa të reja për Gostivarin. Një prej masave që Limani tha se do të vazhdojë sikurse deri më tani është ndarja e 100 eurove për çdo familje me fëmijë të porsalindur. Si masa të reja, Limani paralajmëroi mbështetjen e “start up” kompanive për të rinjtë deri në moshën 30 vjeçare si dhe mbështetje financiare nga komuna për gratë dhe vajzat që do të hapin biznese të reja. Ai tha se jashtë masave nuk do të lihen të moshuarit, duke paralajmëruar fonde në vlerë prej 30 mijë denarë në vit, për gjyshërit që kujdesen për nipërit dhe mbesat e tyre.
“Sot para jush prezantojmë masa të reja po aq konkrete të cilat do të zbatohet menjëherë me ardhjen tonë në komunë. Rinia e ardhmja jonë, për çdo të ri dhe të re, deri në moshën 30 vjeçare, komuna e Gostivarit do të mbështesë “start up” e me nga 60 mijë denarë. Çdo vit do të përkrahim 30 nisma të reja rinore duke investuar drejtpërdrejt në idetë kreativitetin dhe guximin e të rinjve tanë… Çdo vit 30 vajza dhe gra do të fitojnë nga 60 mijë denarë për nismat e tyre të biznesit”, tha Valbon Limani, Kandidat i AKI-së për Gostivarin. /Alsat.mk