Nga gjysma e muajit janar ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska ka filluar takimet intensive me rektorët e universiteteve publike në vend. Sipas informacioneve të Alsat, takimet mbahen me qëllim harmonizimin e qëndrimeve të universiteteve për ndryshimet që duhet bërë në Ligjin për arsimin e lartë. Alsat pyeti zyrtarisht për qëllimin e këtyre takimeve dhe a fshihet prapa tyre edhe ideja e shkrirjes së universiteteve private dhe disa prej tyre publike. Në përgjigjen shumë të shkurtër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nuk u dha asnjë sqarim përveç se u theksua se ministrja, u takua me rektorët dhe prorektorët e universiteteve shtetërore në lidhje me projektligjin e ri për Arsimin e Lartë, Ligjin për Cilësinë në Arsimin e Lartë dhe Ligjin për Veprimtarinë Shkencore dhe Kërkimore. Ndërkohë, në kuadër të ndryshimeve ligjore do të harmonizohen edhe dispozitat për njohjen e programeve studimore, forcimin e kritereve, kuadrin akademik dhe njohjen e thirrjeve akademike. Takime të tilla pritet që të vazhdojnë në fundjavë, ndërsa në mesin e muajit shkurt mund të ketë një draft të gatshëm mbi plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për arsimin e lartë.
Mgid