Një pjesë e edhe një vepre penale të lidhur me ish-kryeministrin Nikola Gruevski është vjetërsuar zyrtarisht, për shkak të kalimit të afateve ligjore për ndjekje penale, në kuadër të lëndës “Talir”.

Me këtë, institucionet kompetente nuk kanë më mundësi të vazhdojnë procedurën penale për veprën konkrete, duke rihapur edhe një herë debatin publik mbi efektet e ndryshimeve në Kodin Penal dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë.

Nga sot, Gruevski nuk ndiqet më për keqpërdorim të pozitës zyrtare të lidhur me financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së, ndërsa akuza për pastrim parash mbetet aktive, konfirmoi prokurorja publike Lençe Ristoska.

Sipas Prokurorisë, vjetrimi është pasojë e afateve ligjore që kanë kaluar ndërkohë, si dhe pjesërisht e ndryshimeve ligjore të miratuara në vitet e fundit. Edhe pse kjo vepër penale është vjetërsuar dhe nuk mund të jetë më objekt ndjekjeje, institucionet theksojnë se kjo nuk nënkupton automatikisht ndalim të të gjitha procedurave të lidhura, nëse ekzistojnë vepra të tjera me afate më të gjata vjetërsimi.

Ky është edhe një rast në vargun e rasteve kur funksionarë të lartë shmangin një epilog gjyqësor për shkak të vjetërsimit të veprave, gjë që ka nxitur reagime në opinionin publik dhe kritika nga ekspertët e fushës. Analistët juridikë paralajmërojnë se një situatë e tillë dëmton besimin e qytetarëve në drejtësi dhe dërgon mesazh të qartë të mosndëshkueshmërisë.

Gruevski, i cili prej vitesh ndodhet jashtë vendit, mbetet simbol i rasteve që kanë përfunduar pa vendim gjyqësor përfundimtar. Rasti rikthen në vëmendje pyetjen nëse sistemi i drejtësisë ka kapacitet të trajtojë me kohë lëndë komplekse dhe nëse nevojiten zgjidhje të reja ligjore për të parandaluar vjetërsimin e veprave me interes të lartë publik.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com