Është zbardhur plotësisht vrasja e ndodhur gjatë natës së Vitit të Ri në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku si pasojë e plagëve nga mjet i mprehtë humbi jetën A.M.D. (22) nga Turqia, ndërsa u plagos edhe shtetasi tjetër turk, Ç.E. (23) raporton Tetovasot .
Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme, zyrtarë policorë nga Njësia për Krime të Dhunshme dhe Departamenti për Delikte të Gjakut pranë SPB Shkup, nën urdhër të Prokurorisë Themelore Publike Shkup, kanë ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, përmes të cilave është identifikuar dhe dokumentuar plotësisht rasti.
MPB ka ngritur kallëzim penal ndaj M.T. (25), shtetas i Republikës së Turqisë me vendqëndrim në Tetovë, për dyshime të bazuara se është autor i veprës penale “Vrasje” sipas nenit 123 të Kodit Penal, si dhe për “Vrasje në tentativë”, sipas nenit 123 në lidhje me nenin 19 të Kodit Penal.
Sipas hetimeve, në natën kritike, M.T. ka nisur një konflikt verbal me dy viktimat në një kafene në Çarshi. Pas largimit të tyre drejt sheshit dhe kthimit të sërishëm pranë lokalit, konflikti ka eskaluar. I dyshuari ka nxjerrë një thikë dhe i ka shkaktuar katër goditje në kraharor dhe në zemër A.M.D.-së, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje. Me një goditje tjetër, M.T. ka plagosur edhe Ç.E.-në në shpinë, me qëllim që t’ia marrë jetën, pas së cilës është larguar nga vendi i ngjarjes.
Gjatë hetimeve janë kryer obduksioni i viktimës, janë siguruar prova materiale, janë marrë në pyetje disa persona dhe janë analizuar pamje nga kamerat e sigurisë, përmes të cilave është bërë identifikimi i autorit.
Pas masave operative dhe taktike, autoritetet kanë siguruar informacione se i dyshuari ndodhej në Kosovë, ku është arrestuar nga organet kompetente kosovare.TS