Urim Saliu-Tetovasot
Polarizimi politik mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, tashmë duket se është zbutur ndjeshëm. Pjesëmarrja e Ahmetit në takimin e liderëve ka trazuar skenën politike dhe ka sinjalizuar një fazë të re marrëdhëniesh, ku tensionet e forta që u reflektuan në zgjedhjet lokale po zëvendësohen gradualisht me pragmatizëm politik.
Në fakt, ajo që në opinion u ironizua si “keksat e Ali Ahmetit”, ia rritën ndjeshëm rejtingun Mickovskit drejt pushtetit pothuajse absolut. Ai mbeti pa kundërshtar serioz në kampin maqedonas dhe, teorikisht, kishte hapësirë t’u ndihmonte partnerëve shqiptarë që i përfshiu në koalicion më shumë se një vit më parë. Megjithatë, kjo hapësirë veprimi nuk u dha kurrë realisht, pasi kontrolli i pushtetit ishte dhe mbetet kryesisht në duart e kryeministrit.
Ali Ahmeti e përjetoi presionin e zgjedhjeve lokale në dy plane. Së pari, përmes një koalicioni jo funksional, me kandidatë që pësuan humbje, duke bërë që BDI të humbasë edhe disa nga bastionet e saj tradicionale. Këto humbje mund të shpjegohen si pasojë e konsumimit të gjatë të pushtetit, por edhe e momentit të gabuar për kandidim. Së dyti, erdhi një fazë delikate kur Mickovskit iu atribua mbështetje indirekte për kandidatët e VLEN-it, të cilët sot drejtojnë disa komuna, duke e thelluar edhe më shumë dobësimin e partisë blu në terren.
Sot, megjithatë, realiteti politik është ndryshe. Mickovski nuk mund të qeverisë i vetëm, as me 58 deputetët e VMRO-DPMNE-së, sado që të jetë fitues absolut. Në rrugën drejt integrimeve evropiane, atij i nevojitet më shumë se kurrë edhe opozita shqiptare e cila, paradoksalisht, ishte fituese në zgjedhjet e fundit parlamentare, por mbeti jashtë pushtetit.
Nga ana tjetër, as Ali Ahmeti nuk e ka më luksin të qëndrojë gjatë në opozitë. Në një realitet ku strukturat politike mbijetojnë përmes pushtetit, qëndrimi i zgjatur jashtë qeverisë rrezikon dobësimin e brendshëm të partisë. Historia politike në vend ka treguar se edhe partitë që sot përbëjnë VLEN-in, në kohën e qeverisjes së LSDM-së, zgjodhën të jenë pjesë e pushtetit për të ruajtur ndikimin dhe strukturën e tyre.
Prandaj, sinjalet e zbutjes së raporteve mes Mickovskit dhe Ahmetit nuk janë rastësi, por reflektim i një nevoje të ndërsjellë politike: njëri nuk i ka numrat për shumicën prej dy të tretash, tjetri nuk e përballon dot një opozitë të gjatë. Politika, si gjithmonë, po kërkon kompromis.