Gjenerali Stojançe Angellov, drejtor aktual i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, gjatë zjarreve të vitit të kaluar që u shkaktuan qëllimisht në deponitë e Shkupit, paralajmëroi se problemi nuk mund të zgjidhet me ndërhyrje policore dhe arrestimin e njerëzve që jetonin dhe vepronin ilegalisht aty, sepse të gjitha organizatat joqeveritare dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut do të dilnin në mbrojtje të tyre. Është e vështirë të flitet për këtë problem pa u futur në diskriminim, sepse reagimet emocionale në rrjetet sociale dhe në publik mund t’i fusin të gjithë individët në një thes dhe të krijojnë një pasqyrë joreale për një komunitet të tërë etnik, por një gjë duhet të sqarohet qartë.
Djegia e gomave dhe mbeturinave në shenjë proteste dhe kërcënimet me vrasje ndaj policisë nuk janë të drejta themelore të njeriut. Një gjë është të shprehësh pakënaqësi përmes protestave dhe bllokadave, tjetër gjë është të shkelësh ligjin dhe të kërkosh mbrojtje duke u fshehur pas përkatësisë etnike.
Zbatimi i sistemit “Qyteti i Sigurt” nga Ministria e Punëve të Brendshme ishte paralajmëruar me muaj, përfshirë edhe një fazë testuese gjatë së cilës shoferëve u dërgoheshin paralajmërime për shkeljet e kryera në trafik.
Projekti “Qyteti i Sigurt” nuk është i përsosur. Shumë e kanë kritikuar publikisht, ndërsa disa parti as nuk e kanë mbështetur në Kuvend. Ai mund të përmirësohet dhe të përsoset ndjeshëm; mund të diskutohet për proporcionalitetin e gjobave dhe drejtësinë, si dhe për infrastrukturën rrugore, edukimin e shoferëve dhe shumë aspekte të tjera që ende nuk janë rregulluar plotësisht. Por, sapo një ligj hyn në fuqi, ai duhet të vlejë ose për të gjithë, ose për askënd.
Të gjitha mediat vazhdimisht e informuan popullatën se sistemi do të “kapë” tejkalimin e shpejtësisë, kalimin në dritë të kuqe në semafor, si dhe drejtimin e automjeteve pa regjistrim, ndërsa do të ndëshkohet edhe mungesa e patentë-shoferit.
Papritur, pothuajse të njëjtat organizata joqeveritare dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut u paraqitën në kor duke folur për “diskriminim ndaj romëve”, sepse një nga kushtet për dhënien e provimit të vozitjes, krahas kritereve të tjera, është përfundimi i së paku arsimit fillor si tregues i një niveli elementar të shkrim-leximit.
Arsimi fillor dhe i mesëm janë të detyrueshëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Arsyeja pse kërkohet vetëm dëshmia e arsimit fillor është se edhe një person i mitur mund të fillojë trajnimin për drejtimin e automjetit, për shembull në moshën 17-vjeçare, ndërsa provimin ta japë në moshën 18-vjeçare, pasi të ketë përfunduar trajnimin teorik dhe praktik, ndërkohë që ende ndjek vitin e katërt të shkollës së mesme.
Një pjesë e këtyre “luftëtarëve për drejtësi” tregonin direktiva evropiane se si civilizimi i madh evropian i trajton kushtet bazë për dhënien e provimit të vozitjes. Por, po ata duhet të shpërndajnë edhe video nga protestat e fundit në shumë qytete evropiane dhe mënyrën se si policia në Gjermani, Angli, Itali, Francë, Belgjikë, Holandë e të tjera i trajton demonstruesit. Jo se dikush dëshiron një lloj të tillë ndërhyrjeje policore, por nëse zbatojmë vlerat evropiane, atëherë duhet të jemi konsekuentë deri në fund.
Gjatë tri dekadave të fundit, në Maqedoni kanë hyrë dhjetëra miliona euro për emancipimin e popullsisë rome; janë zbatuar qindra projekte për edukim, për rritjen e mbrojtjes sociale, ekonomike dhe shëndetësore, si dhe për përfaqësim më të madh në organet lokale dhe shtetërore. A janë orientuar ndonjëherë këto mjete edhe drejt këtij problemi thelbësor, ku një pjesë e popullsisë rome nuk posedon fare patentë-shofer dhe konsiderohet se nuk ka dhënë kurrë provim, me arsyetimin se janë “analfabetë”?
Fyerjet ndaj shtetit, kërcënimet ndaj organeve të rendit dhe sigurisë, organizimi i bllokadave dhe djegia e mbeturinave ndoshta duhet të drejtohen edhe ndaj organizatave për mbrojtjen e të drejtave të romëve dhe liderëve politikë të këtij komuniteti. Një pjesë e këtyre organizatave, për të justifikuar ekzistencën e tyre para donatorëve të huaj, gjithmonë do t’i arsyetojnë këto shpërthime të kërkesave jologjike. Pse ata nuk kanë reaguar me kohë, për muaj të tërë, në vendet kritike ku ky problem thelbësor është i pranishëm?
Sot drejtimi i automjetit nuk është luks, por nevojë, dhe askush nuk duhet të pengohet sistematikisht. Por duhet menduar edhe për mbrojtjen e pjesëmarrësve të tjerë në trafik, të cilët kanë paguar qindra euro për trajnim, kanë paguar disa herë për provime të rëna, i regjistrojnë dhe i sigurojnë rregullisht automjetet e tyre dhe duan të jenë pjesë e një sistemi që i trajton të gjithë njësoj.
Pa përjashtime, pa vetëshpallje si viktima, pa u fshehur pas përkatësisë etnike apo identitare dhe pa rrezikuar të drejtat e anëtarëve të tjerë të shoqërisë.