Përpjekjet për ta margjinalizuar Listën Serbe janë më shumë sinjale politike për opinionin e brendshëm, vlerëson për Radion Evropa e Lirë Emir Abrashi nga organizata Demokraci Plus.Sipas tij, nuk ekziston asnjë bazë ligjore – qoftë politike apo diskrecionale – për ta eliminuar këtë parti, e cila është më e madhja e serbëve në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e Beogradit.

Të shtunën, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve votuan kundër konfirmimit të rezultateve përfundimtare zgjedhore për Listën Serbe.Ky veprim nxiti reagimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, e cila kërkoi respektimin e standardeve ndërkombëtare zgjedhore dhe publikimin transparent të rezultateve.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, e cila i fitoi zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, edhe më herët kishte tentuar ta pengonte Listën Serbe nga pjesëmarrja në zgjedhje, por Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i kishte rrëzuar vazhdimisht këto vendime.Kësaj radhe, Lista Serbe u ankua sërish ndaj vendimit të KQZ-së, të cilin e përshkroi si “të turpshëm, diskriminues dhe të paligjshëm”.

Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, thotë se me këto veprime, Vetëvendosja i dërgon mesazh komunitetit serb, i cili ka votuar kryesisht për Listën Serbe, se nuk është i rëndësishëm dhe se votat e tij nuk merren parasysh.“Kjo është përçarëse për marrëdhëniet në Kosovë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Në Kuvendin e Kosovës, dhjetë vende janë të rezervuara për komunitetin serb. Lista Serbe, me mbi 42 mijë vota, fitoi nëntë, ndërsa një e siguroi Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul në qëndrimin e saj se Lista Serbe është “dorë e zgjatur e Beogradit”.

Si një nga arsyet përse nuk dëshiron bashkëpunim me të, përmend faktin se ajo nuk është distancuar kurrë nga ish-nënkryetari i saj, Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.Vetëvendosja shprehet e hapur për bashkëpunim me Rashiqin dhe këmbëngul që pozitat në Qeverinë apo Kuvendin e Kosovës, të cilat me Kushtetutë u takojnë përfaqësuesve të komunitetit serb, t’i jepen pikërisht partisë së tij.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi javën e kaluar se nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, mund të emërohet vetëm nga partia më e madhe parlamentare e këtij komuniteti, që në këtë rast është Lista Serbe.Kë e dëmtojnë përpjekjet për eliminimin e Listës Serbe?

Gogiq vlerëson se përpjekjet për ta eliminuar Listën Serbe nga skena politike, nuk i dëmtojnë vetëm serbët e Kosovës, por gjithë vendin, pasi, siç thotë, rrezikojnë të shkaktojnë bllokadë institucionale.“Kosova mund t’i humbasë edhe afatet për konstituimin e Kuvendit nëse Vetëvendosja inatoset me Listën Serbe. Po humbet kohë dhe nuk po arrihet asgjë, sepse eliminimi i Listës Serbe nuk është i mundur”, thotë ai.
Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të kaluar, Kosova u përball me një krizë të thellë institucionale dhe politike, pasi partitë shqiptare nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.Më pas, bllokada vazhdoi edhe për shkak të zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, pasi Vetëvendosja refuzoi t’i votonte kandidatët e Listës Serbe.

Se Lista Serbe nuk mund të eliminohet, e thotë edhe Abrashi nga organizata Demokraci Plus.Sipas tij, partitë politike mund të përjashtohen nga procesi zgjedhor vetëm nëse nuk i përmbushin kriteret e përcaktuara ligjore, ose nëse shpallen të paligjshme nga organet kompetente gjyqësore apo të sigurisë.

“Pa një vendim të tillë – përfshirë shpalljen si organizatë terroriste apo si subjekt tjetër i paligjshëm – nuk ka bazë ligjore për përjashtimin e Listës Serbe vetëm për arsye politike ose diskrecionale”, thotë Abrashi.Ai shton se roli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është administrativ dhe procedural, e jo politik, dhe se çdo veprim jashtë mandatit të përcaktuar qartë, i nënshtrohet shqyrtimit.

“Sundimi i ligjit, siguria juridike dhe trajtimi i barabartë i të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje mbeten thelbësore për ruajtjen e kredibilitetit të procesit zgjedhor dhe besimit në institucione”, thekson Abrashi.A mund të vazhdojë Lëvizja Vetëvendosje ta injorojë Listën Serbe?

Gogiq vlerëson se hendeku mes Listës Serbe dhe Vetëvendosjes po thellohet, por shton se bashkëpunimi mes tyre është i domosdoshëm për formimin e institucioneve të reja.

Në këtë kontekst, ai kujton vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në favor të Listës Serbe, sipas të cilave Kuvendi i Kosovës nuk mund të konstituohet pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, ndërsa kandidatin për këtë post mund ta propozojë vetëm partia më e madhe parlamentare e këtij komuniteti.“Do të ishte e rëndësishme që Vetëvendosja të bënte kompromis me Listën Serbe, e cila, për shembull, mund të sigurojë kuorumin për zgjedhjen e presidentit. Sistemi në Kosovë kërkon pjesëmarrjen e komuniteteve dhe përfaqësuesve të tyre legjitimë”, thotë Gogiq, duke paralajmëruar se Vetëvendosja mund t’i shkaktojë dëm gjithë Kosovës nëse vazhdon ta injorojë Listën Serbe.

Përndryshe, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në dhjetor të vitit të kaluar se mosmarrëveshjet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara lidhen kryesisht me Serbinë dhe strukturat e saj.Sipas tij, SHBA-ja e konsideron qëndrimin e tij ndaj Serbisë si shumë rigoroz.

Në shtator të vitit 2025, SHBA-ja ka pezulluar përkohësisht Dialogun Strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.Përpjekjet për ta eliminuar Listën Serbe nga procesi zgjedhor kanë nxitur reagime edhe nga Bashkimi Evropian dhe nga ambasadat e vendeve perëndimore, të cilat kanë kërkuar që komuniteteve pakicë t’u garantohet pjesëmarrje e barabartë në proceset politike./REL/

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com