Aleanca për Shqiptarët: Refuzimi i provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është diskriminim institucional
Sot, në Maqedoninë e Veriut, studentët shqiptarë po përballen me diskriminim të hapur, ndërsa gjuha shqipe po përjashtohet nga sistemi i drejtësisë. Ministria e Drejtësisë ka refuzuar kërkesën e 385 studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të organizohet edhe në gjuhën shqipe, duke vendosur që ai të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.
Ky vendim përbën një akt të qartë diskriminues ndaj studentëve shqiptarë dhe dëshmon mungesën e vullnetit politik për barazi reale. Shtrohet pyetja: kush frikësohet nga gjuha shqipe dhe pse? A është frika nga barazia, nga pjesëmarrja e shqiptarëve në sistemin e drejtësisë, apo nga fuqia e gjuhës amtare për të garantuar drejtësi dhe dinjitet?
Nisma e studentit Mevlan Ademi po mbështetet fuqishëm nga deputetët e Aleancës për Shqiptarët: Sadik Sulejmani, Halil Snopçe dhe Rijad Shaqiri. Studentët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, pa cenuar aspak njohjen dhe përdorimin e gjuhës maqedonase.
Refuzimi i Ministrisë së Drejtësisë dërgon një mesazh të rrezikshëm: mohimi i gjuhës shqipe nuk është thjesht një vendim administrativ, por një alarm serioz për drejtësinë, barazinë dhe frymën demokratike në vend.
Studentët shqiptarë nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë të drejtat që u takojnë: respekt, trajtim të barabartë dhe dinjitet. Këto nuk janë kërkesa për t’u negociuar, por të drejta që duhet të garantohen.