Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot në press-konferencë promovoi modulin e ri për evidencë elektronike të ndërhyrjeve kirurgjikale elektive në institucionet publike shëndetësore, përmes të cilit në një portal publik është e disponueshme lista e ndërhyrjeve kirurgjikale elektive të planifikuara.

“Për herë të parë vendosim rregull dhe një protokoll të qartë që evidenca elektronike e ndërhyrjeve të planifikuara të mbahet në mënyrë transparente. Qëllimi është që çdo pacient ta marrë shërbimin sipas parimit “i pari që vjen, i pari shërbehet”. Portali mundëson kërkim dhe paraqitje të të dhënave përmes disa parametrave të kombinuar, në mënyrë që të jetë i dobishëm si për qytetarët ashtu edhe për krijuesit e politikave. Përdoruesit e portalit publik mund të kërkojnë sipas: specialitetit të mjekut, ndërhyrjes kirurgjikale, institucionit publik shëndetësor, mjekut specialist dhe numrit të pacientëve që presin,”- theksoi ministri Aliu.

Ai shtoi se aktualisht evidenca për ndërhyrjet kirurgjikale elektive mbahet në sistemin “Termini im”, përmes lëshimit të një rekomandimi me tip “rekomandim spitalor për operacion”, por janë konstatuar mospërputhje, ndër të cilat: rekomandimet nuk lëshohen menjëherë pas konstatimit të nevojës për operacion, por para vetë ndërhyrjes; disa institucione dhe mjekë përdorin një lloj tjetër rekomandimi (trajtim konservativ) për evidencën e pacientëve në lista; mjekët i mbajnë listat në formë letre, ndërsa listat e pritjes nuk pastrohen rregullisht, gjë që krijon një perceptim jo të saktë për kohën e pritjes dhe nevojat reale.

“Institucioneve publike shëndetësore që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale tashmë u janë dërguar njoftime individuale me të dhëna nga analiza e realizuar. Çdo institucioni i është treguar veçmas nëse dhe sa dallon numri i ndërhyrjeve të kryera nga numri i rekomandimeve të realizuara për operacion në sistemin “Termini im”. Me këtë risi po rrisim transparencën, po mundësojmë matje reale të kohës së pritjes dhe, rrjedhimisht, planifikim dhe shpërndarje më të mirë të burimeve, si dhe zbatim të praktikave evropiane në këtë fushë,”– përfundoi ministri.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com