Arsim Bajrami: E drejta e juristëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e Provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe
Arsim Bajrami
Studentët e fakulteteve juridike në universitete publike dhe kolegjet private në Maqedoninë e Veriut kanë të drejtë të garantuar kushtetuese të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Kjo nuk është thjesht një kërkesë politike– është një e drejtë legjitime që buron nga Marrëveshja e Ohrit, e cila e përcakton gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Refuzimi i Ministrisë së Drejtësisë për të respektuar këtë të drejtë është antikushtetuese, që cenon Marrëveshjen e Ohrit dhe parimet bazë të të drejtave të njeriut dhe barazisë ndërmjet gjuhëve. Kjo praktikë nuk është vetëm diskriminuese, por dëmton gjithashtu integritetin profesional të juristëve shqiptarë, duke i vendosur ata në pozita të pabarabarta në sistemin e drejtësisë.
Arsyetimi i ministrisë se njohja e gjuhës maqedonase është kusht për ushtrimin e funksioneve gjyqësore është diskriminues dhe kundër Kushtetutës. Provimi i jurisprudencës nuk është provim gjuhësor; ai është provim profesional, që mat njohuritë dhe aftësitë juridike. Juristët shqiptarë kanë të drejtë të përdorin gjuhën shqipe në mënyrë zyrtare dhe të barabartë me gjuhën maqedonase, pa u paragjykuar
Në një sistem drejtësie të drejtë dhe demokratik, barazia gjuhësore është thelbësore. Juristët shqiptarë duhet të jenë të lirë të përdorin gjuhën shqipe në të gjitha institucionet gjyqësore, duke garantuar jo vetëm respektimin e ligjit, por edhe përfaqësimin e barabartë të komunitetit shqiptar në sistemin e drejtësisë.
Është thelbësore që institucionet shtetërore dhe Ministria e Drejtësisë në Maqedonin e Veriut të respektojnë këtë të drejtë, sepse respekti për ligjin dhe Kushtetutën nuk është opsional, por thelb i demokracisë dhe sundimit të ligjit. Juristët shqiptarë nuk kërkojnë privilegje, por vetëm të drejtat e tyre kushtetuese – të japin provimin profesional në gjuhën e tyre amtare, duke kontribuar në një sistem drejtësie më të drejtë dhe gjithëpërfshirës.