Hulumtimi i publikuar nga revista Fokus, “Lugina e Ujqve e kreut të Tetovës”, ngre dyshime serioze dhe të argumentuara për lidhje klienteliste, familjare dhe politike në tenderët publikë në Komunën e Tetovës dhe atë të Zhelinës. Sipas këtij hulumtimi, kompani të afërta me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, deputetin Adnan Azizi dhe funksionarë të tjerë të pushtetit aktual kanë përfituar tenderë publikë në vlerë mbi 6 milionë euro, duke krijuar indicë të qarta për korrupsion, konflikt interesi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Veçanërisht shqetësues është favorizimi i kompanisë “Murana Kompani”, pronë e dajës së kryetarit Bilall Kasami, si dhe lidhjet zinxhirore me kompani partnere që, sipas Fokus, kanë përfituar nga projektet infrastrukturore në dy mandate radhazi. Pikëpyetje serioze ngre edhe mënyra e zhvillimit të procedurave tenderuese, ku nuk është kërkuar përvojë ndërtimore, por vetëm kritere minimale formale, në kundërshtim me parimet e konkurrencës së ndershme. Në një shtet ligjor, indicët serioze të dokumentuara në media obligojnë veprimin ex officio të Prokurorisë Publike. Heshtja institucionale dhe mungesa e reagimit nga Komuna e Tetovës vetëm sa e thellojnë dyshimin. Aleanca për Shqiptarët kërkon hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe pa selektivitet politik. Paraja publike nuk është pronë familjare apo partiake. Sundimi i ligjit testohet pikërisht në raste të tilla.
Mgid