BDI ÇAIR: Mungesa e parkingjeve dhe rrugët e bllokuara nga stërngarkimi me vetura e kanë paralizuar jetën normale në komunën e Çairit
Sot po dalim para jush për të folur për një problem madhor që po ua shndërron jetën qytetarëve të Çairit në mankth të përditshëm.
Mungesa e parkingjeve dhe rrugët e bllokuara nga stërngarkimi me vetura e kanë paralizuar jetën normale në këtë komunë.
Qytetarët humbin orë të tëra për të gjetur një vend parkimi, rrugët janë të pakalueshme, ndërsa shërbimet emergjente shpesh nuk kanë qasje elementare.
Kjo gjendje nuk ka ardhur rastësisht.
Ajo është pasojë direkte e faktit se të gjitha projektet e premtuara për parkingje rezultuan mashtrime publike – u përdorën për fushata dhe propagandë, por nuk u realizuan kurrë në terren.
Në anën tjetër, ndërtimi kriminal i ndërtesave pa leje dhe pa asnjë kusht minimal për parking vazhdon pa ndërprerje.
Ndërtesa të reja po mbijnë çdo ditë, pa plan urbanistik, pa standarde dhe pa përgjegjësi, ndërsa Komuna mbyll sytë.
Prandaj sot pyesim hapur:
Deri kur qytetarët do jetojnë jetën në ankth, që udhëheqësit e Komunës të pasurohen edhe me disa miliona të tjerë në llogaritë e tyre personale?
Kjo situatë është e papranueshme.
Ne kërkojmë:
• Ndërprerje të menjëhershme të të gjitha ndërtimeve pa leje
• Transparencë dhe llogaridhënie për projektet e premtuara për parkingje
• Zbatim të ligjit pa selektivitet dhe pa pazare politike
Nëse kjo gjendje vazhdon, nëse nuk ndalen ndërtimet pa leje dhe nuk korrigjohen mashtrimet me projektet publike, qytetarët do jenë të detyruar të përdorin të gjitha mjetet qytetare dhe ligjore, për të mbrojtur interesin publik dhe dinjitetin e tyre.
Çairi nuk është pronë private.
Çairi është i qytetarëve.