BDI Çair: Premtime të parealizuara për infrastrukturën sportive, kërkohet llogaridhënie nga Izet Mexhiti
Sot, përfaqësues të BDI – Dega Çair reaguan publikisht lidhur me, siç thanë, premtimet e parealizuara të kryetarit të Komunës së Çairit në fushën e infrastrukturës sportive informon Tetoovasot.
Sipas reagimit, gjatë fushatës zgjedhore kryetari i Komunës së Çairit u kishte premtuar sportistëve dhe qytetarëve disa projekte madhore, të cilat ishin pjesë edhe e programit zyrtar zgjedhor. Ndër projektet e përmendura janë ndërtimi i sallës sportive “Çair” me kapacitet prej 3.000 ulësesh dhe e pajisur sipas standardeve për gara ndërkombëtare, ndërtimi i tre fushave multifunksionale në Tophanën e Vjetër, Sahat Kullë dhe Gazi Babë, si dhe ndërtimi i tre pishinave publike për sport, shëndet dhe rekreacion.
Nga BDI Çair akuzojnë se, në vend të realizimit të këtyre projekteve, buxheti komunal është orientuar, siç thonë, drejt një klubi sportiv, pronari i të cilit sipas tyre është financues i koalicionit VLEN, duke e cilësuar këtë si keqmenaxhim dhe larje parash.
Më tej, në reagim thuhet se sipas planit financiar të Komunës së Çairit për vitin 2026, nuk është paraparë asnjë fond për sallën sportive, fushat multifunksionale dhe pishinat, dhe se nuk ekzistojnë projekte teknike, leje ndërtimi apo buxhet i miratuar për këto investime.
Sipas BDI Çair, sportistët në këtë komunë vazhdojnë të stërviten në kushte të vështira, klubet sportive funksionojnë pa infrastrukturë minimale, ndërsa të rinjtë po mbesin pa hapësira për zhvillim sportiv dhe rekreativ.
Nga kjo parti parashtrohen edhe disa pyetje publike drejtuar kryetarit të Komunës së Çairit:
– Ku janë sot këto projekte?
– Ku përfunduan premtimet e dhëna para sportistëve dhe qytetarëve?
– A ishte programi zgjedhor vetëm një mjet për të siguruar vota?
Në fund, nga BDI Çair kërkojnë sqarim publik dhe zyrtar për mosrealizimin e projekteve të premtuara, afate konkrete dhe një plan të qartë për ndërtimin e infrastrukturës sportive, si dhe llogaridhënie ndaj sportistëve dhe qytetarëve.
“Çairi nuk ka nevojë për broshura dhe slogane, por për punë konkrete, transparencë dhe përgjegjësi politike. Mjaft me makete dhe vizatime 3D, Çairi ka nevojë për realitet”, thuhet në reagimin e BDI Çair.TS