Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh mbështetje të plotë dhe të
pakursyer për studentët shqiptarë të fakulteteve juridike, të cilët me
të drejtë kërkojnë respektimin e barazisë gjuhësore dhe kushtetuese në
sistemin e drejtësisë.
Vendimi i Ministrisë së Drejtësisë, i drejtuar nga Igor Filkov, për të
refuzuar zyrtarisht peticionin e studentëve dhe për të lejuar dhënien e
provimit të jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase, përbën një hap
serioz prapa në respektimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe
një barrierë të drejtpërdrejtë për përfaqësimin e barabartë në sistemin
gjyqësor.
Arsyetimet e dhëna nga Ministria, të mbështetura në interpretime
selektive të ligjeve dhe në hierarki të njëanshme ligjore, janë në
kundërshtim me frymën e Kushtetutës, me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve
dhe me standardet evropiane të barazisë dhe mosdiskriminimit.
Ky vendim nuk është vetëm një çështje teknike apo administrative, por ka
pasoja të drejtpërdrejta politike, shoqërore dhe institucionale, duke e
kthyer gjuhën në filtër për profesionin e juristit dhe duke pamundësuar
avancimin e kuadrove shqiptare në sistemin e drejtësisë.
Rikujtojmë se pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, gjatë
qeverisjes së kaluar, ishte përgatitur një zgjidhje ligjore që e
mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe,
por shumica aktuale qeveritare e hoqi atë nga procedura e miratimit, pa
asnjë shpjegim plotësues, duke mos e rikthyer asnjëherë më për miratim.
BDI kërkon përgjigje të qartë dhe publike:
• A është ky një qëndrim individual i ministrit Filkov, apo qëndrim
zyrtar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut?
• Nëse është qëndrim i Qeverisë, a është marrë ky vendim me konsensus
të plotë dhe a janë pajtuar me të edhe ministrat shqiptarë?
• A e ka ndërmend Qeveria që, qoftë edhe një herë, të respektojë
dygjuhësinë e sanksionuar me Kushtetutë dhe ligj?
Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se çdo tentativë për
relativizimin e statusit të gjuhës shqipe përbën shkelje të
marrëveshjeve politike që kanë garantuar stabilitetin ndëretnik dhe
orientimin evropian të vendit.
Ne qëndrojmë përkrah studentëve dhe kërkesave të tyre legjitime dhe do
të ndërmarrim të gjitha veprimet politike dhe institucionale për të
garantuar barazi reale, jo simbolike, në sistemin e drejtësisë.
Barazia gjuhësore nuk është privilegj, është e drejtë kushtetuese dhe
ligjore