Në një moment interesante që është shpërndarë gjerësisht në internet, lojtari japonez, Yuji Nishida shfaqi aftësi madhështore rrëshqitjeje, duke e çuar një ndjesë tradicionale në ekstrem pasi goditi pa dashje me top një gjyqtare anësore gjatë fundjavës.

26-vjeçari, i cili po merrte pjesë në një sfidë shërbimi në pushimin e pjesës së parë në një event “all-star” të volejbollit në Kobe, në perëndim të Japonisë, u duk i tmerruar kur shërbimi i tij me dorën e majtë doli jashtë fushës dhe e goditi gjyqtaren femër drejt e në shpinë.

Në momentin që gjyqtarja, e cila nuk ishte lënduar, rimori qetësinë, trupi 186 cm i Nishidës po rrëshqiste me shpejtësi drejt saj mbi tokë, me kokën poshtë dhe duart anash, duke shkaktuar të qeshura dhe duartrokitje nga spektatorët dhe bashkëlojtarët e tij.

Por Nishida nuk u ndal me kaq. Ai u ul në gjunjë dhe vazhdoi të përkulej vazhdimisht, duke bashkuar në një moment edhe shuplakat e duarve. Përkuljet vazhduan edhe pasi u ngrit në këmbë dhe nxitën një gjest të ngjashëm nga gjyqtarja, e cila buzëqeshte, disi e turpëruar.

Pamjet e skenës kanë tërhequr miliona shikime në rrjetet sociale. Një tifoz e quajti veprimin e Nishidës një “vepër arti”, ndërsa një tjetër tha se “përulja e tij me rrëshqitje” i ngjante një forme njerëzore të sportit të curlingut.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com