Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje për shkëmbimin e 314 të burgosurve, në shkëmbimin e parë të këtij lloji pas pesë muajsh, njoftoi i dërguari presidencial amerikan, Steve Witkoff.

Ai e përshkroi rezultatin si fryt i bisedimeve të detajuara, duke theksuar se edhe pse ka ende punë për t’u bërë, ky hap tregon se diplomacia e vazhdueshme po sjell rezultate konkrete dhe po avancojnë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Witkoff shtoi se diskutimet do të vazhdojnë dhe në javët në vijim, duke treguar angazhimin e vazhdueshëm të palëve për gjetjen e një zgjidhjeje.

Ndërkohë negociatorët ukrainas dhe rusë nisën këtë të enjte ditën e dytë të bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA në Emiratet e Bashkuara Arabe, me synim të ndërprerjes së pushtimit pothuajse katërvjeçar të Moskës ndaj Ukrainës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të mërkurën se 55,000 ushtarë ukrainas kanë humbur jetën. Ndërkohë, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke lënë shumë qytetarë, përfshirë banorët e kryeqytetit Kiev, pa energji elektrike dhe duke përballuar temperatura deri në minus 20°C ditët e fundit.

Kremlini përsëriti kërkesën e tij të fortë që Kievi duhet të dorëzohet, ndërsa zëdhënësi Dmitry Peskov deklaroi se luftimet do të vazhdojnë “deri sa regjimi i Kievit të marrë vendimet e duhura”.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com