Zjarre, bllokada dhe protesta u mbajtën në disa qytete të vendit për shkak të konfiskimit të automjeteve nga persona pa leje drejtimi. Persona të prekur nga masa e sekuestrimit të automjeteve për drejtim pa dhënë provimin e vozitjes protestuan në Shtip, Koçan, Strumicë, Prilep, Manastir dhe Resnjë, për shkak të marrjes së automjeteve të tyre, në përputhje me nenin 297 të Kodit Penal për “drejtim të pakujdesshëm të mjetit motorik”.

Në Shtip, një grup qytetarësh dogjën goma në rrugë, pas çka ndërhyri Shërbimi i Zjarrfikësve për të shuar zjarrin dhe për të normalizuar gjendjen. Në Koçan, qytetarët u mblodhën në lagjen Trajanovo Trllo. Në Manastir u bllokua rruga magjistrale drejt Resnjës, pranë lagjes Bair, ndërsa protesta vazhdoi edhe sot nëpër rrugët e qytetit. Motivi i përbashkët i të gjitha protestave është pakënaqësia ndaj konfiskimit të automjeteve, të cilat, sipas qytetarëve, kanë qenë mjeti i tyre kryesor i punës dhe burim jetese për familjet e tyre.

Nuk ka pasur prishje të rendit dhe qetësisë publike në protestat e mbrëmshme në disa qytete të vendit, njoftuan sot nga MPB për “24”. Prej andej nuk u përgjigjën nëse ka persona të thirrur për bisedë informative pas kërcënimeve publike për vrasje dhe rrahje në rast se u konfiskohet automjeti, por shkurt theksuan se MPB, në koordinim me Prokurorinë Publike, po ndërmerr masa dhe aktivitete për veprim të mëtejshëm.

Kryeministri Hristijan Mickoski, nga ana e tij, sot informoi se ka kërkuar nga policia një reagim të ashpër ndaj kujtdo që ka shkelur ligjin, ka kërcënuar apo ka rrezikuar rendin dhe qetësinë publike gjatë bllokadave të djeshme.

Ndërkohë, përveç protestave, edhe rregullat më të rrepta të trafikut në kuadër të sistemit “Safe City” kanë shkaktuar reagime të ndara në opinion. Derisa disa i mbështesin këto masa të rrepta, të tjerë mendojnë se procedura për marrjen e lejes së drejtimit duhet të thjeshtohet dhe të jetë më e përballueshme financiarisht.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com