Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Sërgjan Lazoviq për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 12 vjet e 6 muaj burg, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor më 3 shkurt 2026.
Vendimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, i cili ka bërë të ditur se i akuzuari është dënuar për veprën penale të krimeve të luftës kundër civilëve.
“Trupi gjykues sot, me datë 03.02.2026, në emër të popullit merr këtë aktgjykim ndaj të akuzuarit, Sërgjan Lazoviq është fajtor sepse gjatë kohës së luftës në Kosovë… ka kryer arrestime dhe privime të kundërligjshme nga liria, keqtrajtime fizike dhe psikike, plaçkitje të pasurisë se luajtshme dhe paluajtshme të komunitetit shqiptar, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë”.
“Arrestimet dhe keqtrajtimet, ka arrestuar, ndaluar, torturuar, maltretuar fizikisht dhe psiqikisht rreth 500 qytetarë civilë të cilët nuk ishin të përfshirë në konflikt… me këtë i akuzuari ka kryer veprën penale kundër popullsisë civile, në bazë të dispozitave ligjore të akuzuarin e gjykojnë me dënim burgimi me kohëzgjatje prej 12 vitesh e 6 muaj”, tha ai.