Pavarësia dhe efikasiteti i gjyqësorit nuk janë dy rrugë të ndryshme, por ecin së bashku, dhe qytetarët i presin të dyja, tha euroambasadori Mihalis Rokas në fjalimin e tij në debatin “Forcimi i efikasitetit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Maqedoni”. Theksoi se për zbatimin e reformave, gjyqësori duhet të ketë buxhetin e nevojshëm.
“Efikasiteti i gjyqësorit nuk mund të arrihet pa burime adekuate dhe të parashikueshme. Prandaj buxheti i vitit 2025 edhe një herë dështoi në sigurimin efektiv të fondeve për sektorin gjyqësor. Vetëm 0,3 ose 0,29 për qind e BPV-së u alokuan për gjyqësorin, që është nën 0,8 për qind të kërkuara. Ky financim i pamjaftueshëm kronik e dobëson pavarësinë institucionale dhe e kufizon kapacitetin sistemor për të ofruar drejtësi në kohë”, deklaroi Euroambasadori Mihails Rokas.
Ministri i Drejtësisë Igor Fillkov tha se gjatë periudhës së kaluar janë përgatitur rreth 30 ligje me të cilat zbatohen reformat sistemore në gjyqësor. Ai theksoi se me to do të ketë reforma dhe paralajmëroi edhe digjitalizim në drejtësi.
“Reformat duhet të sigurojnë plotësimin e vendeve të punës, modernizimin e infrastrukturës, forcimin e integritetit institucional, rritjen e besimit të publikut përmes transparencës, standardeve etike dhe komunikimit të përmirësuar. Janë përgatitur edhe ligje të tjera që janë pjesë e agjendës reformuese, si dhe dokumente të tjera strategjike në drejtim të një resetimi të plotë të sistemit gjyqësor”, u shpreh ministri i Drejtësisë, Igor Filkov.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Afrim Fidani, u ankua se gjyqtarët nuk ishin konsultuar gjatë miratimit të ligjeve dhe porositi që në të ardhmen të merret parasysh edhe mendimi i tyre. Ai theksoi se pavarësia nënkupton edhe pavarësi financiare dhe se nuk ka drejtësi cilësore me gjyqtarë të mbingarkuar. Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, nga ana tjetër theksoi se në shumicën e shteteve evropiane pushteti gjyqësor ka mundësi që vetë të planifikojë dhe të punësojë pa pritur pëlqim nga Qeveria.