Greva e vazhdueshme e Cristiano Ronaldos thuhet se pritet të ndalë realizimin e tre transferimeve të mëdha në ditën e fundit të afatit kalimtar.
Vitin e kaluar u ngritën pikëpyetje rreth të ardhmes së Ronaldos në futboll, përpara skadimit të kontratës së tij me klubin saudit Al Nassr në muajin qershor.
Megjithatë, me Kupën e Botës 2026 në horizont, 40-vjeçari vendosi ta zgjasë qëndrimin e tij tek Al Nassr, duke nënshkruar një kontratë të re dyvjeçare me klubin.
Por duket se marrëdhënia mes Ronaldos dhe Al Nassr ndodhet në një moment të vështirë, me raportime që pretendojnë se sulmuesi ka hyrë në grevë në shenjë proteste ndaj mungesës së investimeve së fundmi tek Al Nassr.
Dhe duket se veprimet e Ronaldos mund të kenë një ndikim shumë më të madh sesa ai mund ta kishte imagjinuar, pasi greva e tij mund të ndalë tre transferime para mbylljes së afatit të hënën në mbrëmje.
Al Nassr është një nga katër klubet saudite në pronësi të Fondit Publik të Investimeve (PIF) të Arabisë Saudite, së bashku me Al Hilal, Al Ittihad dhe Al Ahli.
Kjo do të thotë se të katër klubet kanë mundësi të ofrojnë shuma të mëdha transferimi dhe paga shumë të larta për të tërhequr emra të mëdhenj të futbollit.
Pikërisht për këtë arsye, ish-ylli i Real Madridit, Karim Benzema, iu bashkua Al Ittihadit në qershor të vitit 2023, vetëm pak muaj pasi fitoi Topin e Artë.
Por raportimet e fundit kanë zbuluar se francezi thuhet se ndihet “i nënvlerësuar” nga klubi, çka ka çuar në thashetheme se ai ishte pranë një kalimi te rivali Al Hilal, i cili gjithashtu është në pronësi të PIF-it.
Megjithatë, kjo lëvizje tani është bllokuar për shkak të protestës së Ronaldos, me yllin portugez që argumenton se një transferim i tillë do të minonte konkurrencën e ndershme në ligë, duke pasur parasysh mungesën e përforcimeve te Al Nassr në këtë merkato.
Por nuk është vetëm transferimi i Benzemës ai që po bllokohet nga Ronaldo, pasi protesta po ndalon gjithashtu edhe lëvizjen e ish-yllit të Chelseat, N’Golo Kanté, i cili aktualisht luan për Al Ittihad, drejt Fenerbahçes, në një marrëveshje që do të sillte Youssef En-Nesyrin në drejtim të kundërt.
Sipas gazetarit turk Yağız Sabuncuoğlu, të tre klubet kanë finalizuar marrëveshjet për këto lëvizje dhe i kanë dorëzuar ato në Ligën Profesionale Saudite, duke pritur vetëm miratimin përfundimtar.
Ashtu si Premierliga, edhe afati kalimtar i Ligës Profesionale Saudite do të mbyllet të hënën, që do të thotë se mbeten vetëm disa orë që klubet në pronësi të PIF-it t’i finalizojnë marrëveshjet, pa vazhduar të tensionojnë marrëdhëniet me yllin kryesor të ligës, Cristiano Ronaldon.