Policia ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë kompetente kundër dy policëve, një mësueseje dhe një zjarrfikësi, të cilët në periudhën nga shkurti deri në prill të vitit 2024, së bashku dhe me marrëveshje paraprake, kanë krijuar një skemë duke organizuar dhe zbatuar procedura për lëshimin e dokumenteve personale (letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shoferi), me qëllim përfitimin e kundërligjshëm material. Siç informojnë nga MPB, kallëzimi është ngritur kundër dy policëve për veprat penale “marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm” dhe “marrje ryshfeti”, si dhe kundër mësueses dhe zjarrfikësit për veprën penale “marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”.

“Të dyshuarit në periudhën nga shkurti deri në prill 2024, së bashku dhe me marrëveshje paraprake, kanë krijuar një skemë përmes së cilës organizonin dhe realizonin procedura për lëshimin e dokumenteve personale, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm material. I treti dhe i katërti i kallëzuar gjenin qytetarë të interesuar që kishin nevojë për përgatitjen e dokumenteve personale, të cilët u dërgonin të dhënat personale në formë fotografish, ndërsa këto fotografi ia përcillnin të dyshuarit të dytë, P.P. I dyshuari i dytë ndërmjetësonte dhe ndërhynte që qytetarët e interesuar ta nisnin procedurën për lëshimin e dokumenteve personale, duke nxitur të dyshuarin e parë, M.S., i cili si person zyrtar kryente veprimet e fotografimit dhe pranimit të kërkesave në kuadër të detyrave të tij zyrtare”, thonë nga MPB.

Sipas MPB-së, kallëzimi penal është ngritur kundër M.S., i punësuar si polic në Sektorin e Sigurisë së Trafikut Rrugor në SPB Shkup, i cili në momentin e kryerjes së veprës, me urdhër, ishte i sistemuar në Sektorin për Punë Administrative Shkup, për dyshimin se ka kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” sipas nenit 353 paragrafi 1 të Kodit Penal dhe “marrje ryshfeti” sipas nenit 357 paragrafi 2 në lidhje me nenet 22 dhe 45 të Kodit Penal.

Gjithashtu, kallëzimi penal është ngritur kundër P.P., i punësuar si polic në Njësinë e Policisë Intervenuese në SPB Shkup, për dyshimin se ka kryer veprat penale “marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm” sipas nenit 359 paragrafi 7 në lidhje me paragrafët 2 dhe nenin 22 të Kodit Penal, si dhe “marrje ryshfeti” sipas nenit 357 paragrafi 2 në lidhje me nenin 24 të Kodit Penal.

Po ashtu, kallëzim penal është ngritur kundër V.R., e punësuar si mësuese në një shkollë të mesme në Shkup, dhe kundër A.S., i punësuar si zjarrfikës në Qytetin e Shkupit, për dyshimin se kanë kryer veprën penale “marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm” sipas nenit 359 paragrafi 7 në lidhje me paragrafët 2 dhe nenin 22 të Kodit Penal.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com