Konflikti që mund ta rrëzojë BESËN nga qeveria: Fatmir Limani përballë Adnan Azizit dhe Bilall Kasamit!
Kush është më i fortë, Fatmir Limani apo Bilall Kasami me Adnan Azizin? Kjo është pyetja që po shtrohet këto ditë në tavolinat e VLEN-it, përkatësisht të Lëvizjes BESA, mëson portali TS.
Fatmir Limani, tashmë pothuajse “zyrtarisht”, është larguar nga Lëvizja BESA dhe është rreshtuar krah kryeministrit Mickoski. Fuqia e tij buron pikërisht nga kjo mbështetje, çka e ka vënë atë përballë dyshes së BESËS, Bilall Kasamit dhe Adnan Azizit.
Konflikti mes palëve daton që nga periudha e parazgjedhjeve, por u thellua ndjeshëm në momentin kur Bilall Kasami zhvilloi takime me strukturat e BESËS në Kërçovë pa praninë e Fatmir Limanit. Limani njihet si figurë e guximshme, e cila nuk lëshon pe, edhe nëse rrezikon humbjen e pushtetit.
Por çfarë po ndodh realisht mes Fatmir Limanit dhe dyshes Kasami–Azizi?
Fatmir Limani u bë ministër me vullnetin e kryeministrit Mickoski, pa pëlqimin e Adnan Azizit. Ai vazhdoi ushtrimin e funksionit pa dhënë llogari para drejtuesve të BESËS, ndonëse mandatin e fitoi përmes votave të VLEN-it.
Sot, Limani po e demonstron fuqinë e tij në qeveri duke ndërmarrë shkarkime të figurave nga Kërçova, vetëm pse janë fotografuar në shoqëri të Bilall Kasamit. Fjala është për Rexhep Asanin dhe Agim Sadikun, dy figura të BESËS në Kërçovë, për të cilët pritet shkarkimi me urdhër të Fatmir Limanit, pa vullnetin e Adnan Azizit.
Këto shkarkime pritet ta thellojnë edhe më tej përçarjen mes Fatmir Limanit dhe drejtuesve të BESËS. Nëse kryeministri Mickoski i miraton këto shkarkime, ekziston mundësia që Lëvizja BESA të lëkundet nga qeveria. Kjo, sipas vlerësimeve, është edhe dëshira e Fatmir Limanit: largimi i BESËS nga pushteti ekzekutiv.
Pas këtij konflikti, Adnan Azizi dhe Bilall Kasami po përballen edhe me një situatë tjetër të ndërlikuar, për shkak të insistimit për ndërrimin e një drejtori të BESËS, i cili konsiderohet i padëgjueshëm. Në vend të tij, Azizi kërkon emërimin e një figure tjetër, por siç duket, kryeministri Mickoski nuk po i merr parasysh këto kërkesa. Kjo dëshmon se fuqia e Lëvizjes BESA në qeveri është minimale, për të mos thënë zero.
Pavarësisht se kush do të dalë fitues në këtë përplasje mes Fatmir Limanit dhe dyshes Azizi–Kasami, një gjë është e qartë, Lëvizja BESA po humb peshën e saj politike në qeveri dhe nuk ka kapacitet as për të larguar drejtorët e vet.
Ndërkohë, pritet që ndaj Bilall Kasamit të hapen lëndë për dyshime mbi keqpërdorime të rreth 6 milionë eurove, të cilat, sipas akuzave, u janë dhënë familjarëve të tij, si dhe për ndryshimin e planit urbanistik në favor të projektit “Shik Jellak” të Daka Davidoviçit./TS/