Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, zhvilloi një takim të rëndësishëm në Uashington me drejtues të Institutit Kombëtar për Demokraci (NDI), të cilin e cilësoi si të frytshëm. Takimi u fokusua në avancimin e bashkëpunimit institucional dhe fuqizimin e demokracisë parlamentare në vend.

Gashi bëri të ditur se në takim morën pjesë znj. Tamara Wittes, kryetare e NDI-së, z. Scott Bates, drejtues rajonal për Evropën dhe Azinë, si dhe përfaqësues të tjerë të institutit.

“Diskutuam bashkëpunimin afatgjatë ndërmjet Kuvendit dhe NDI-së dhe projektet kyçe që ky institut ka mbështetur ndër vite. Veçanërisht u fokusuam tek Programi për Mbështetje Parlamentare, i cili ka sjellë rezultate konkrete në përmirësimin e funksionimit të Kuvendit”, tha Gashi.

Ai theksoi se ky program ka kontribuar në forcimin e rolit dhe pavarësisë së Kuvendit, rritjen e transparencës, digjitalizimin e institucioneve dhe afrimin e tyre me qytetarët.

Kryeparlamentari gjithashtu nënvizoi rëndësinë e vlerave demokratike që promovon NDI, duke i cilësuar thelbësore për dialogun politik dhe funksionimin e institucioneve. “Shpreha mirënjohje për bashkëpunimin e deritanishëm dhe gatishmërinë tonë për ta thelluar këtë partneritet në shërbim të qytetarëve”, deklaroi Gashi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume