Lëndim serioz, Mateta do të operohet dhe do të jetë jashtë fushave për katër muaj
Jean-Philippe Mateta ka dështuar në testet mjekësore me Milanin dhe, sipas Sacha Tavolieri, problemi në gju është aq serioz sa do t’i duhet t’i nënshtrohet operacionit dhe të qëndrojë jashtë fushave për të paktën tre muaj.
Kalimi i Matetës te Milani ka dështuar pasi sulmuesi francez nuk i kaloi vizitat mjekësore me kuqezinjtë.
Lojtari i Crystal Palace u kontrollua fillimisht në Londër të dielën, por rezultatet jo bindëse e shtynë Milanin të kryente ekzaminime të tjera sot në Paris.
“Sky Sport Italia” raportoi vetëm disa orë më parë se Milani vendosi përfundimisht të mos e nënshkruajë 28-vjeçarin, pasi ai nuk i kaloi testet mjekësore.
Eksperti i merkatos, Sacha Tavolieri, shton në rrjetin social “X” se ekzaminimet zbuluan dëmtime aq të rënda, saqë sulmuesi i Palace do të ketë nevojë për operacion në gju për t’u rikuperuar plotësisht.
Kjo do të thotë se Mateta do të mungojë për tre deri në katër muaj, sipas raportimit.
Me vetëm dy orë të mbetura deri në mbylljen e afatit dimëror të transferimeve, Milani nuk pritet të afrojë ndonjë përforcim tjetër.
Gjigantët e Serie A kanë nënshkruar tashmë me Niclas Füllkrug nga West Ham në fillim të merkatos së janarit.