Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian, ka nisur një projekt të rëndësishëm për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në procesin e transformimit të gjelbër.

Sipas Mickoskit, vlera totale e projektit është 25 milionë euro, prej të cilave 18 milionë euro janë siguruar nga Bashkimi Evropian, ndërsa 7 milionë euro nga Buxheti i shtetit. Nga kjo shumë, 22 milionë euro janë të dedikuara për mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për kompanitë.

Ai theksoi se projekti synon uljen e ndotjes, rritjen e përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë, zvogëlimin e gjurmës së karbonit dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare mjedisore, të cilat u mundësojnë kompanive dalje në tregjet evropiane dhe globale.

Në katër vitet e ardhshme pritet të përfitojnë mbi 300 kompani, ndërsa rreth 200 prej tyre do të marrin mbështetje për përgatitjen dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Kryeministri nënvizoi se transformimi i gjelbër nuk është shpenzim, por investim në një ekonomi më të fortë, mjedis më të shëndetshëm dhe cilësi më të lartë të jetës për qytetarët.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com