Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se aktualisht janë në procedurë mbi 50 lëndë për korrupsion të lartë, të cilat, sipas tij, për vite me radhë kanë qenë të fshehura, të zvarritura ose të injoruara informon Tetovasot.

Këtë ai e tha në seancën konstituive të Këshillit Nacional për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë, duke theksuar se lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk po zhvillohet me deklarata, por me veprime konkrete.

“Janë më shumë se 50 lëndë për korrupsion të lartë në procedurë. Kjo nuk është fundi, por vetëm fillimi. Presim hapjen e rasteve të reja, hetime të thella dhe rezultate që do ta rikthejnë besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit”, tha Mickoski.

Ai theksoi se nuk do të ketë drejtësi selektive.

“Nuk ka të mbrojtur. Nuk ka të paprekshëm”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij, për një luftë të suksesshme kundër korrupsionit është i domosdoshëm forcimi i gjyqësorit dhe prokurorisë, si në aspekt institucional, ashtu edhe kadrovik dhe funksional, me qëllim që drejtësia të jetë efikase dhe e drejtë.

Mickoski vlerësoi se lufta kundër korrupsionit nuk përfundon me procedurë penale, por duhet të përmbyllet me konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

“Krimi nuk guxon të shpërblehet. E vjedhura duhet t’u kthehet qytetarëve”, theksoi ai.

Ai sqaroi se Strategjia për periudhën 2025–2028 parasheh tre prioritete kryesore:
identifikimin dhe ndjekjen e pasurisë së paligjshme edhe jashtë vendit përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, konfiskimin e shpejtë dhe ligjor të pasurisë dhe menaxhimin efikas të pasurisë së konfiskuar, përfshirë përdorimin e saj për qëllime sociale.

Në fund, Mickoski theksoi se Këshilli Nacional për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë do të ketë rol kyç në koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjithë procesit.

“Kjo është luftë për shtet të së drejtës, për besim dhe për dinjitetin e qytetarëve. Dhe në këtë luftë nuk do të tërhiqemi”, deklaroi Mickoski.TS

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com