Orce Gjorgjievski: 30 milionë denarë për zgjerimin e “Lajka”-s dhe përmirësimin e kushteve për qentë endacakë
Sistemi “Safe City” do të përdoret edhe për të mundësuar identifikimin dhe sanksionimin e personave që, në mënyrë të papërgjegjshme, braktisin kafshët në territorin e qytetit. Në këtë mënyrë, Qyteti i Shkupit do të përpiqet të ulë numrin e qenve endacakë që bredhin nëpër rrugët e pothuajse të gjitha lagjeve të kryeqytetit.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi gjithashtu se janë siguruar 30 milionë denarë për zgjerimin e kapaciteteve të NP “Lajka” dhe për krijimin e kushteve moderne dhe humane për strehimin e qenve endacakë.
Siç bëri të ditur kryetari përmes një postimi në rrjetet sociale, kjo investim paralajmëron një qasje të re ndaj problemit shumëvjeçar të kafshëve endacake në kryeqytet. Sipas tij, në të kaluarën kjo çështje është neglizhuar, gjë që ka rezultuar me rritjen e numrit të qenve endacakë dhe me përkeqësimin e kushteve si për qytetarët, ashtu edhe për vetë kafshët.
Gjorgjievski theksoi se vërejtjet e publikut janë të arsyeshme dhe se administrata aktuale e qytetit ka për qëllim të qaset në mënyrë sistematike dhe të përgjegjshme drejt një zgjidhjeje të përhershme të problemit. Ai nënvizoi se Shkupi nuk do të lejojë të shndërrohet në destinacion për sjelljen e qenve endacakë nga qytete të tjera, duke shtuar se kjo çështje tashmë është hapur me institucionet kompetente.
Kryetari u bëri thirrje qytetarëve që t’i raportojnë këto raste dhe të jenë partner aktivë në vendosjen e rendit, duke theksuar se zgjerimi i kapaciteteve të “Lajka”-s do të fillojë në një afat të shkurtër. Qëllimi, siç theksoi ai, është sigurimi i hapësirës, kujdesit adekuat, mbrojtjes veterinare dhe trajtimit dinjitoz për qentë endacakë.