“Nën ritmin e vargut rinorë”, ora letrare në kuadër të Karvanit Poetik-Krijuesit letrar 2026, tuboi krijuesit e rinj në ambientet e Gjimnazit të Tetovës në një aktivitet kulturor që u realizua me sukses me një pjesëmarrje të gjerë të publikut dhe mbështetje të konsiderueshme nga dashamirë të letërsisë dhe artit.
Fjalë përshëndetëse, në emër të udhëheqësisë së Gjimnazit, mbajti pedagogu Astrit Abdullahi, i cili theksoi rëndësinë e nxitjes së krijimtarisë artistike tek të rinjtë dhe rolin e institucioneve arsimore në formimin e tyre kulturor dhe intelektual. Më pas, me një fjalim frymëzues u paraqit Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum” Sadije Aliti, e cila vuri në pah fuqinë e fjalës së shkruar si mjet shprehjeje dhe vetëdijesimi, motivimi dhe përkrahje të penave të reja në qytet e më gjërë.
Aktiviteteti vijoi me vargje poetike të orës letrare, ku të rinjtë patën mundësinë të lexojnë poezitë e tyre, duke shpalosur mendime, ndjenja dhe përvoja personale përmes krijimtarisë letrare. Interpretimet u pritën me interes të veçantë nga publiku, duke krijuar një atmosferë pozitive dhe inkurajuese për autorët e rinj.
Në pjesën e dytë të orës letrare, mundësia për të lexuar krijimet e tyre iu dha edhe të pranishmëve të tjerë, përfshirë mysafirë dhe anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum”, të cilët kontribuan me poezi dhe reflektime të tyre, duke e pasuruar më tej programin dhe duke krijuar një bashkëndarje të vlefshme përvoje mes brezave të krijuesve.
Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte krijimi i një hapësire ku të rinjtë të ndihen të lirë të shprehen, të guxojnë të prezantojnë krijimtarinë e tyre dhe të besojnë në vlerën e zërit të tyre artistik. Në shenjë vlerësimi për angazhimin dhe guximin e treguar, të gjithë të rinjtë pjesëmarrës u shpërblyen me mirënjohje.
Gjatë aktivitetit, programi u pasurua edhe me një pikë muzikore, e interpretuar nga Donjeta Rexhepi, e cila i dha ngjarjes një dimension të veçantë artistik dhe kontribuoi në krijimin e një harmonie të bukur mes fjalës së shkruar dhe muzikës. Ky aktivitet u moderua nga Merita Isaki dhe Emira Ibishi.
Kjo orë letrare dëshmoi se arti dhe letërsia mbeten mjete të fuqishme për komunikim, reflektim dhe zhvillim personal, si dhe se të rinjtë, kur mbështeten dhe inkurajohen, janë të gatshëm të shpalosin potencialin e tyre në mënyrë dinjitoze dhe frymëzuese.


