Mbi 50 mijë persona janë arrestuar në Iran, njoftoi sot një organizatë joqeveritare, duke theksuar se represioni në vend vijon pa ndërprerje.

Republika Islamike shtypi me dhunë në fillim të janarit një valë të gjerë protestash, e cila shpërtheu në fund të dhjetorit dhe arriti kulmin më 8 dhe 9 janar.

Autoritetet iraniane pranojnë se mijëra persona kanë humbur jetën, por deklarojnë se shumica dërrmuese e viktimave ishin pjesëtarë të forcave të sigurisë ose kalimtarë, të vrarë nga “terroristë” që, sipas tyre, vepronin për llogari të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Organizata Human Rights Activists News Agency (HRANA), e cila më herët kishte raportuar për mbi 42 mijë arrestime, e ka rishikuar sot shifrën në rritje, duke dokumentuar të paktën 50.235 arrestime të lidhura me protestat.

Sipas organizatës me seli në SHBA, arrestimet kanë pasur në shënjestër “një spektër të gjerë qytetarësh, kryesisht studentë, shkrimtarë dhe mësues”. HRANA shton se në disa raste arrestimet janë shoqëruar me “kontrolle në banesa dhe konfiskim të sendeve personale”.

Po ashtu, organizata raporton për mbi 300 ‘rrëfime të detyruara’, të transmetuara nga televizioni shtetëror.

Edhe Amnesty International shprehu javën e kaluar shqetësim për arrestimin e mijëra personave, mes tyre edhe fëmijë.

Sipas OJQ-së, këta persona janë të ekspozuar ndaj “rrezikut serioz të zhdukjeve me forcë, torturës dhe formave të tjera të keqtrajtimit, vdekjes në paraburgim si dhe ekzekutimeve arbitrare pas gjyqeve që dukshëm nuk janë të drejta”.

Kreu i pushtetit gjyqësor në Iran, Gholamhossein Mohseni-Ejei, paralajmëroi sot se nuk do të ketë “asnjë tolerancë” ndaj atyre që janë përfshirë në protesta. Ndërkohë, prokuroria sqaroi se disa prej tyre përballen me dënime që mund të arrijnë deri në dënimin me vdekje.

Regjisori iranian Mehdi Mahmoudian, bashkë-skenarist i filmit “Një aksident i thjeshtë”, i cili u vlerësua me Palmën e Artë në Festivalin e Kanës në vitin 2025, u arrestua të dielën, nën dyshimin se kishte ndihmuar në hartimin e një deklarate kritike ndaj pushtetit.

Ai u arrestua së bashku me liderin studentor Abdollah Momeni dhe gazetaren dhe aktivisten për të drejtat e grave, Vida Rabbani, sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars.

Teksti, i nënshkruar nga më shumë se një duzinë disidentësh, e krahason represionin me një “krim shtetëror kundër njerëzimit”, shpjegon fondacioni i fitueses së Çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, e cila ndodhet në burg që nga dhjetori. Ajo ishte arrestuar gjatë një proteste të zhvilluar përpara valës së fundit të demonstratave.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com